Në fjalën e tij para deputetëve të PD-së, kreu demokrat Sali Berisha e vuri theksin edhe tek vendimi i Edi Ramës për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje.
‘Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të ashtuquajtur qeveri, për pallate dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie, merren në mënyrë flagrante, funksionet e parlamentit, me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore, me vendim qeverie, bllokohet sistemi i drejtësisë, me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend.
Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg.
Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë.
Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.
Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë.
Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre.
Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.