Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet ta vizitojë sot Beogradin për t’u takuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndër temat e shumta që do të diskutohen midis dy krerëve, pritet të jetë edhe çështja e Kosovës, transmeton Klan Kosova.
Rreth 70.000 vetë pritet t’i urojnë mirëseardhjen Putinit në kryeqytetin e Serbisë, më pas ai do të ndalojë edhe në katedralen e Shën Savës.
Një mikpritje e tillë organizohet, sipas Tanjug, nga sektori joqeveritar dhe organizata patriotike, megjithatë mbështetjen e saj do ta japë dhe partia në pushtet, SNS.
Plani është që pjesëmarrësit të mblidhen në Sheshin e Republikës e pastaj të marshojnë deri te katedralja, në mënyrë që të mbërrijnë atje në të njëjtën kohë me liderin rus.
Kjo është mënyra e tyre për të treguar respekt ndaj numrit një të Rusisë dhe mirënjohje për mbështetjen që vendi më i madh sllav i jep integritetit territorial të Serbisë, në arenën ndërkombëtare, shkruajnë media serbe.
Kujtojmë se në një intervistë për mediat serbe, Presidenti rus ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë faktorë që e destabilizojnë Ballkanin.
Ndërsa Kryeministri Haradinaj i është kundërpërgjigjur atij duke thënë se sa më shumë përfshirje të SHBA-së në Ballkan nënkupton paqe, stabilitet dhe zhvillim, ndërsa një prezencë ruse nënkupton të kundërtën.
Për t’u informuar më shumë rreth kundërpërgjigjes të Kryeministrit Haradinaj, klikoni në linkun e mëposhtëm.