Vota e emigrantëve dhe njohja e pensioneve, Spiropali tregon arritjet e Samitit të Diasporës

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, prezantoi sot rezultatet e Samitit të Dytë të Diasporës, i cili bashkoi në Tiranë mbi 1200 personalitete të shquara shqiptare nëpër botë.

Ajo bëri me dije se gjatë samitit u hodhën hapa konkretë përpara drejt realizimit të votës së emigrantëve në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe në respektimin e kësaj të drejte të garantuar nga ligji në Kosovë, por ende të pazbatuar në praktikë.

“Konkretisht, prej muajit korrik, në Parlament është dërguar një dokument i detajuar për mundësimin e kësaj të drejte. Shpresohet që dokumenti të bëhet pjesë e reformës së ardhshme zgjedhore, pasi opozita të rikthehet në Parlament”, u shpreh Spiropali.

Lidhur me remitancat tha se në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka përfituar rreth 30 miliardë dollarë remitanca, të cilat kanë shkuar kryesisht për të financuar konsumin familjar.

Por sipas saj, për herë të parë, tanimë ekziston një strategji për kanalizimin e këtyre remitancave në sektorët kyçë të ekonomisë, si turizmi, agroturizmi dhe prodhimi.

“Për këtë qëllim, është dakordësuar ngritja në Tiranë e një Dhome të Përbashkët të Biznesit të Diasporës, që do të përfaqësojë të gjithë bizneset shqiptare nëpër botë. Gjithashtu, së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe Banka e Diasporës, që do të jetë një instrument i mirëfilltë, i mbështetur nga shteti, për përthithjen dhe kanalizimin e kapitalit të diasporës në ekonomi”, deklaroi ministrja.

Lidhur me njohjen e pensioneve, bëri me dije se për herë të parë, shteti shqiptar ka emëruar një Koordinator Kombëtar të Pensioneve, që do të ketë për detyrë të vetëm të çojë përpara negociatat me vendet e interesit.

Spiropali tha se në fokus të punës së këtij koordinatori do të jenë fillimisht vendet me popullsi më të lartë shqiptare, si Italia, Greqia, SHBA-të, Kanadaja dhe Anglia.

Një tjetër risi sipas Spiropalit, është emërimi i koordinatorit të kalendarit të përbashkët të eventeve që synojnë përmirësimin e imazhit të vendit tonë nëpër botë, duke nxitur turizmin, biznesin, e promovuar vlerat historike e kulturore të vendit tonë.

“Aktualisht janë 41 evente të konfirmuara përgjatë të gjithë vitit, nga SHBA-të deri në Japoni, por evente të tjera pritet të shtohen përgjatë vitit. Një risi shumë e rëndësishme do të jetë edhe themelimi i një Muzeumi të ri në Tiranë, një muze i dedikuar eksluzivisht Diasporës. Deri në ngritjen e këtij muzeu, do të ekzistojë një pavion i dedikuar në Muzeun Kombëtar. Të tjera arritje të rëndësishme u regjistruan në fushën e arsimit, kulturës, etj”, deklaroi ministrja.

 

Zjarr Tv Ad