Nga Edi Oga
Para një viti votova për herë të fundit dhe ndoshta për të herë të fundit fare.
Votova kundër!
Votova kundër sepse askush nga politikanët tanë nuk e meriton të votosh pro tij/saj.
Politikanët tanë janë kaq të shpifur, sa në vend që ti të shkosh të votosh pro dikujt që nuk e ke provuar asnjëherë, të duhet të shkosh të votosh kundër dikujt që e ka apo e ka pasur më parë pushtetin dhe vetëm ka vjedhur për vete dhe për të ngjashmit.
Në vend që të votojmë për ndryshim dhe progres afatgjatë, këta maskarenj na kanë detyruar të votojmë për interesa imediate dhe meskine. Në këtë vend votohet akoma për një vend pune në shtet, për një legalizim (që të takon), për një grusht të hollash apo për një thes miell. Mua nuk më është dashur kurrë të votoj për asnjë nga ato më lart, prandaj vota ime nuk ka kuptim, është e kotë, është e pavlerë. Për të mos thënë që është tjetërsuar apo trafikuar.
E kam humbur besimin tek vota.
Ajo tashmë është thjesht një alibi e pushtetarëve për të ruajtur përjetësisht sundimin e tyre banal mbi qytetarët. Është njësoj sikur bariu të bëjë pakt me ujqërit për të ndarë me ta delet e kopesë së tij, ku shumicën e tyre ai do t’i shqyejë vetë dhe një pakicë do t’ua hedhë në gojët e hapura dhe të lëngëzuara të opozitës-ujk, me kushtin e vetëm që ajo të ulërijë duke akuzuar bariun si bishën më të egër për delet. Ku loja e vërtetë është se sa kohë një ujk do të bëjë bariun dhe kur do të shkëmbejnë rolet.
Koha për të votuar përsëri po afron.
Përveç se për arsye mbijetese apo interesash materiale imediate, si mund të votosh për Ramën, Veliajn, Gjiknurin, Beqajn, Dakon, Ballën, Spiropalin, etj?! Kanë kaq shumë vite në pushtet sa nuk kanë më asnjë ide të re, madje as ide të reja për të vjedhur!
Si mund të votosh për Berishën, Metën, Kryemadhin, Nokën, Ndokën dhe Palokën, etj?!
Përveç urisë për plaçkë për vete, nuk ofrojnë asgjë që nuk e dimë.
Si mund të votosh më për Lul Bashën?!
Si mund të votësh Gaz Bardhin, Salianjin, Dumën, Hajdarin, Gjekmarkajn, etj? Çfarë mund të bëjnë këta për ty?!
U bë një vit nga votimet e 25 prillit dhe ja ku jemi. Në mizerje dhe në udhëkryq.
Vota nuk na ka sjellë dhe vështirë të na sjellë “shpëtim”!
Duhet të vrasim mendjem dhe të gjejmë një mjet tjetër. Në të kundërt, do të vazhdojmë që me votën të ushqejmë pushtetarët dhe iluzionen tonë të humbura!/ newsbomb.al