Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burg përjetë për shtetasin Fadil Kasemi, i cili vrau ish- bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi.
Pretenca u dha sot ku prokuroria kërkoi që për Kasemin dënimin ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Fildez Hafizi u vra në 31 gusht 2017 ku sapo kishte dal nga një parukeri, teksa ish-bashkëshorti i saj iu afrua dhe e qëlloi me një plumb në kokë.
Gjyqtarja ishte nënë e dy fëmijëve teksa u qëllua në befasi nga Kasemi.
Me vrasjen e gjyqtares u zbuluan edhe disa skandale të drejtësisë. Mes tyre kishte edhe një konflikt të mëparshëm ku në 2015 Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten në Durrës , por e ndaluan fëmijët. Gjykata e atëhershme e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje dhe plagosje e lehtë, por jo për tentativë vrasje. Fadil Kasemi e pranoi autorësinë e krimit, por dy fëmijët ngelën jetim dhe u shprehën se nuk duan ta takojnë babain e tyre.