Prindërit e 22 vjeçarit Marvi Mihali, që mbeti i vrarë për një karrikues celulari, kanë treguar emrin e personit që e ka qëlluar me armë.
Në seancën e kësaj të hëne, prindërit kanë thënë se për ngjarjen e rëndë të vrasjes së djalit të tyre ka video, dhe aty dallohet qartë vrasësi.
“Kam parë me qindra dhe mijera here videon e vrasjes se djalit tim. Personi qe e qelloi eshte Dejvi Bitraj”, mësohet të jetë shprehur nga salla e gjyqit babai i Marvi Mihalit.
Në rrëfimin e tyre dramatik, prindërit e Marvit kanë thënë se nuk duan dëmshpërblim për humbjen e të birit, por vetëm dënimin e autorëve.
Fatmira Mihali, nëna e 22-vjeçarit, tha se nëse nuk ndodhte kjo gjë do të bënte vetëgjyqësi.
“Dua të sqaroj se nuk do të ketë kurrë gjyq për dëmshpërblim. Nuk ka vlerë që më zëvendëson djalin. Në ngjarje Marvi ka hyrë vetëm për të ndare dy vetë. Eugen Bitraj e tërhoqi nga pas dhe e rrëzoi. Ata ishin përgatitur për të vrarë. Do vrisnin këdo që do u dilte para. Kam besim tek drejtësia dhe sa të kem jetë do luftoj. Askush nuk mund të dalë i pa lagur nga kjo histori”, ka thënë e ëma e të ndjerit në sallën e gjyqit.