Klevis Kapllani është 33 vjeçari që u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm brenda makinës së tij në Rrogozhinë, në fshatin Sinaballaj. Sipas Policisë, Klevis Kapllani ka gjetur vdekjen si pasojë e armës së zjarrit.
Klevis Kapllani, ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe vetëm 2 vite më parë është kthyer në Shqipëri, pasi ka përfunduar dënimin në vendin fqinj. Nga ekpertiza paraprake nga grupi i hetimit, bëhet me dije se Klevis Kapllani është vrarë me 14 plumba, vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij.
Autorët, që mendohet se kanë qenë dy, i kanë zënë pritë 33 vjeçarit në momentin që ai po kthehej në shtëpi, pak para mesnatës, dhe e kanë qëlluar me breshëri plumbash në mes të rrugës, krah një are me misër. Sipas grupit të hetimit, Klevis Kapllani i ka parë atentatorët dhe ka ndaluar makinën pasi në momentin kur ata kanë shkuar në vendngjarje, ajo i ka pasur frenat e dorës të ngritura.
Mëngjesin e sotëm, në orën 06.00, kur një tregtar ka kaluar rrugën për të mbledhur qumësht te banorët e zonës, ai ka vënë re 33 vjeçarin e pajetë dhe menjëherë ka telefonuar Policinë. Viktima është qëlluar me breshëri me një armë zjarri automatike Thompson, me silenciator. Kjo forcon dhe më shumë deklaratat e të afërmve të Kapllanit, të cilët edhe pse jetonin shumë pranë vendit ku ai u vra nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë.
Gjithashtu, pak metra larg vendngjarjes, buzë një kanali efektivët kanë gjetur dhe një pistoletë tip “Glock”, e cila ka qenë me mekanizëm të rregullt për qitje, por e papërdorur. Mendohet se arma i ka rënë në ecje e sipër njërit prej autorëve. Në mbrëmje Klevis Kapllani ka lajmëruar familjarët se do të dilte për kafe, por nuk është kthyer më.