Zbardhet shkaku i konfliktit me armë në takimin e PD në Kurbin. Kush është 53-vjeçari i arrestuar për ngjarjen, qëlloi me armë pas konfliktit me…

0
90
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

ELVIS HILA/ Kërkesa për anëtarësime të reja të simpatizantëve me qëllim që të merrnin pjesë në votimet për kandidatët e primareve më 4 dhjetor, është bërë shkak i konfliktit, i cili u shoqërua edhe më të shtëna me armë zjarri në degën e Partisë Demokratike në Kurbin.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës gjatë një takimi të kësaj force politike dhe sipas burimeve Van Rica, i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza, kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve. Kërkesa e 53- vjeçarit është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike të rithemelimit Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve. Në debat e sipër, Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistolete në drejtim të dorës së sallës ku po zhvillohej mbledhja dhe më pas është larguar, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

ARRESTIMI

Pas disa orësh në arrati policia arriti të prangosë mëngjesin e së martës, 53- vjeçarin Rica, i cili rezulton të jetë punonjës i një policia private në Laç. Ndaj tij janë ngritur disa akuza penale, si ajo e “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarrit pistolete me të cilën dyshohet të ketë qëlluar anëtare i Partisë Demokratike Van Rica, si dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes. Ai po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kurbin në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë në gjykatë pas 48 orësh.

ÇFARË THOSHTE POLICIA

Të shtëna me armë zjarri u regjistruan mbrëmjen e së hënës në qendër të qytetit të Laçit në një takim midis mbështetësve të Partisë Demokratike. Takimi po zhvillohej midis kandidatëve të primarëve nga radhët e demokratëve me kryesinë e Partisë Demokratike, kur ka shpërthyer një konflikt midis nënkryetarit të PD-së në Laç Kastriot Marku dhe një anëtari të partisë atje i identifikuar si Van Rica. “Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultuar se: Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbledhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. (P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin. Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar”, sqaroi Policia e Lezhës.

Kandidatët e primareve në Kurbin

Ndërsa ofron 4 dhjetori ku pritet të zhvillohen zgjedhjet brenda radhëve të Partisë Demokratike për të nxjerrë kandidatët fitues që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, gara duket se po bëhet gjithnjë e më e fortë. Zona e Kurbinit, e cila ka prodhuar tensione përgjatë zgjedhjeve, regjistroi një tjetër precedent mbrëmjen e së hënës, duke bërë që një prej anëtarëve të përdorën e armën e zjarrit në mbështetje të kandidatit të tij të preferuar.

Në zonën e Kurbinit janë në garë plot shtatë kandidatë që “luftojnë” për të marrë votat e anëtarëve, në mënyrë që të mund të garojnë për zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit të ardhshëm. Kështu, në Kurbin kandidojnë, Alfred Daçi, Behar Haxhiu, Dalmion Dodaj, Edmond Shkoza, Gjergj Oroshi, Gjevalin Miri dhe Lindita Toma. Partia Demokratike nuk pati ndonjë reagim zyrtar për ngjarjen. Procesi i primareve brenda partisë më të madhe të opozitës nisi në fillim të muajit nëntor, ndërsa procesi pritet të mbyllet në fillim të muajit të ardhshëm. Partia Demokratike po zhvillon për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë një proces të tillë ku kandidatë për kryetari bashkie garojnë fillimisht brenda partisë së tyre e më pas, fituesi garon për zgjedhjet e 14 majit.

Zjarr Tv Ad