Zbërthehet aktiviteti i të huajve në Gramsh, grupi hetimor hap pajisjet elektronike! ‘Blogerët’ pranojnë lidhjet me shërbimet sekrete ruse

0
56
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Tre shtetasit e huaj që u arrestuan tri ditë më parë në Gramsh vijojnë të mbahen në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Aktiviteti i tyre po verifikohet në një sërë pistash ku fokusi kryesor prej dy ditësh janë pajisjet e tyre elektronike që kanë pasur me vete në momentin e sherrit me ushtarët tanë në uzinën ushtarake të Gramshit. Edhe pse ende Policia dhe aq më pak Prokuroria nuk kanë hedhur dritë mbi momentin e përplasjes mes tyre, pra të fotografëve rusë dhe dy ushtarëve që u plagosen me spraj, aq sa përfunduan edhe në spital ushtarak, hetimet po orientohen nga komunikimet e tre të arrestuarve.

Ata dyshohet se janë pjesë e një rrjeti që shkëmbejnë informacione të ndryshme mbi baza ushtarake të pikasura nëpër vende të ndryshme, kryesisht të Lindjes. Deri më tani, grupi hetimor ka zbuluar vetëm një komunikim në grup në “Telegram” mes tre të arrestuarve dhe disa personave të tjerë në vende të ndryshme të botës, të cilët shkëmbejnë foto dhe të dhëna për vendet e vizituara, por nuk dihet nëse janë të kompromentuar në akuzën e parë dhe kryesore për të cilën janë të vënë në pranga dhe pritet të dalin para Gjykatës.

Dje, Prokuroria e Beratit la të lirë katër turistët çekë, të cilët u arrestuan në panik e sipër nga forcat e Policisë, ndërsa u pikasën brenda tuneleve të Poliçanit. Pikasja erdhi pasi dy femra ishin në oborrin e repartit duke pritur dy burrat që kishin hyrë brenda ambienteve për të parë dhe fotografuar se çfarë gjendej aty. Ata mohuan çdo dijeni dhe akuzë që ua faturoi Policia, ndërkohë që, sipas hetimeve thotë Prokuroria, nuk u vërtetua asnjë lloj lidhje mes tyre dhe rusëve që na plagosen dy ushtarët në një uzinë që në fakt nuk ka asnjë tregues zone ushtarake dhe aq më pak të një zone të ndaluar!

VERIFIKIMET E LIDHJEVE TË TRE TË HUAJVE

Grupi hetimor pretendon se ka zbërthyer një pjesë të mirë të bisedave dhe grupeve më të cilët kanë komunikim kryesisht dy shtetasit rus. Një rëndësi të veçantë kanë marrë bisedat në “Telegram”, ku të rinjtë dërgojnë foto bashkë me të dhëna konkrete që lidhen me zbulimet e tyre nëpër vende apo reparte ushtarake.

Ata kanë dëshmuar që në fakt vizita të tilla kryejnë në çdo vend të botës që shkelin dhe e kanë mision për të mbajtur blogun e tyre me të cilin pretendojnë se nxjerrin edhe paratë për të lëvizur. Por, ajo që bie në sy është fakti që në vendin tonë janë realizuar edhe dokumentar nëpër pika të tilla, kanë hyrë dhe kanë dalë të huaj pafund në emër të turizmit dhe kanë filmuar dhe fotografuar çdo stacion të mundshëm që mund të jetë dhe përbën sekret për masën, por ndoshta jo për të huajt, para të cilëve në emër të turizmit dorëzohen rojet e objekteve.

Prokuroria ka verifikuar se të tre shtetasit e ndaluar kanë kryer komunikime të shpeshta në aplikacionin “Telegram” dhe në “Instagram”. Ata kanë edhe një grup në të cilin flasin dhe janë gjetur komunikime të cilat dyshohet se japin informacione, çka zbulojnë se në këtë mënyrë mund të marrin edhe direktiva nga persona të caktuar me qëllime të caktuara.

Sipas verifikime dhe grupit hetimor, mësohet se grupi që kishin në “Telegram” emërtohet “turizmi urban” dhe prej aty ata shkëmbenin mendime, ide dhe informacione për vende të ndryshme. Por, nuk dihet nëse është gjendur informacion komprometues për rastin në fjalë apo për raste të tjera ku kanë hyrë dhe fotografuar në vendin tonë. Grupi hetimor pritet të mbledhë informacion edhe nga partnerë ndërkombëtarë në lidhje me këta persona të arrestuar për të mësuar hollësi të aktivitetit të tyre, nëse vërtet ata vizitat këtij lloji i përkthejnë në dhënie informacioni të klasifikuar dhe të domosdoshëm për shërbime të caktuara.

Hyrja në Shqipëri e rusëve

Dy rusët dhe ukrainasi që u vunë në pranga pas sulmit të rojeve në uzinën ushtarake të Gramshit kanë hyrë në vendin tonë nga pika të ndryshme kufitare. Sipas të dhënave, 33-vjeçarja, Svetlana Timofeeva, kishte ardhur me avion nga Rinasi, ndërsa Mikhail Zorin, 23-vjeçari rus ka hyrë nga Durrësi dhe 25-vjeçari ukrainas, Fiodor Mihailoviç, erdhi nga Mali i Zi. Ata janë takuar në Tiranë.

Kanë qëndruar pak ditë dhe më pas janë nisur në drejtim të qyteteve bregdetare për të përfunduar në Korçë. Ka dyshime se ata më herët kanë qenë edhe në Poliçan ku edhe janë ndaluar në pikën ushtarake ku u arrestuan katër turistët çekë. Por, Policia dhe Prokuroria nuk ka folur për këtë rrugëtim të tyre. Në fakt, ka qenë automjeti i veçantë që ka rënë në sy të banorëve të zonës, të cilët me ta parë në rrjetet sociale në sulmin e Gramshit e kanë identifikuar. Por, 2 rusët dhe ukrainasi vijojnë të këmbëngulin se janë turistë dhe se ishin duke bërë foto. Ata kanë dhënë detaje të punës së tyre të kahershme me këtë profil të orientuar, duke iu vënë hetuesve në dispozicion blogerat të cilët posedojnë.

Por, ajo që bie në sy në këtë ngjarje të zhurmshme është fakti se ende nuk është zbardhur fakti se si ndodhi incidenti mes palëve dhe përse u përdor spraji për të neutralizuar ushtarët që sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruanin uzinën. Policia dhe Prokuroria mbajnë sekret dëshminë e tre të huajve në lidhje me atë moment, duke bërë kështu të mundur edhe moskuptimin e kronologjisë së ngjarjes se si u plagosën dy ushtarët tanë që sipas Ministrisë, kanë qenë në krye të detyrës. Ditën e djeshme dy zyrtarët, ai i Mbrojtjes dhe i Brendshmi kanë dalë në reagime të zbutura duke bërë të mundur kështu edhe publikimin e faktit se rusët, edhe pse na i plagosën ushtarët nuk e kanë cenuar sigurinë kombëtare.

Zbërthehet rusi 23 vjeç: “Punoj për shërbime sekrete”

Një nga rusët e arrestuar në Gramsh ka pranuar se ishte porositur për të bërë foto në disa vende të Shqipërisë. Sipas burimeve të TCH, shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thotë se nuk ka më shumë informacione. Mikhail Zorin ka deklaruar se bisedat me agjentët e vendit jo mik me Shqipërinë bëhej vetëm me Telegram, por nuk i njeh me emra hetuesit rusë.

Ai ka treguar se me dronin që u gjet në çantë, ka filmuar mbi liqenin e Bovillës dhe ka filmuar gjithashtu edhe në portin e Durrësit. Bëhet me dije se sot ose nesër, tre të arrestuarit që u kapën të shtunën në Gramsh do të dalin para gjykatës, pasi me sa duket prokurorët ende nuk janë bërë gati me dosjen. Ata po hetohen me akuzën spiunazhit dhe po mbahen në drejtorinë e policisë së Elbasanit ku janë marrë në pyetje nga prokurorët. Ndërkohë, gjykata u ka caktuar avokatë kryesisht, të cilët janë takuar dje me klientët e tyre.

Burimi:Panorama.al

Zjarr Tv Ad