Një nga aleatët tradicional të PD, Dashamir Shehi është kundër primarëve të Sali Berishës. Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtari gjatë një interviste për “Report TV” rrëzoi këtë ide duke thënë se gara në vitin 2023 nuk është për të gjetur shefin e opozitës, por për ti dhënë qytetarëve kryetarë bashkie të denjë.
“I kam dëgjuar këto për primarët, por nuk vlejnë. Nuk jemi në garë se kush është shefi i partisë. Ne duhet të jemi me një kandidat, s’mund të jemi të ndarë, kjo do i bënte qejfin Ramës. Duhet ta vendosim bashkarisht se cilët do jenë kandidatët tanë për kryetar bashkie. Garën Brenda vetes e lëmë tek gara për Këshillat Bashkiak. Kush të jetë më i miri ta mbështesim të gjithë, si në Itali”, thotë ai.
Për Shehin, thelbësore në këtë moment të politikës është fati i Reformës Territoriale, ku sipas tij, duhet më shumë kohë e vullnet politikë për një produkt konkret.
“Nuk është çështje tre javësh, duhet më shumë kohë. Duhet vullnet nga të dyja anët për të arritur një produkt konkretë. Nëse Rama thotë se do jenë 61 bashki, smund të përplasemi me murin, kot mblidhet komisioni. Sa i takon propozimeve, duhet një ndarje mes zonave rurale dhe urbane. Decentralizim real të buxhetit, pasi deri më tani nuk është zbatuar”, vijon ai.
Gjatë intervistës Shehi tha se deri më tani nuk ka patur diskutime as me foltoren e PD dhe as me z. Alibeaj. Ai theksoi se kjo çarje e opozitës duhet qepur sa më shpejtë për të qenë sa më të bashkuar për zgjedhjet e radhës parlamentare. Shehi rrëzon zërat që e listojnë atë ndër kandidatët e mundshëm për Bashkinë e Tiranës.
“Nuk e kam atë ambicie. Është një pozicion që kërkon energji rinore, unë do mbështes kandidatin e përbashkët që do zgjedhi opozita” tha Dash Shehi.