Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në takimin me fermerët në Konispol u njoh me shqetësimet e tyre, mungesën e subvencioneve nga qeveria, mungesën e investimeve ndonëse BE ka akorduar miliona euro fonde, mungesën e fuqisë punëtore dhe shpenzimet e larta për shkak të burokracive të administratës.
“Për pjesën tonë si fermerë, sepse ne qëkur i kemi mbjellë e deri më tani vetëm me shpatullat tona, asnjë ndihmë nga qeveria, asnjë subvencion. I plotësova të gjitha dokumentat, 1 milionë e 300 mijë lekë edhe nuk mora as edhe 1 qind lekë,” tha një fermer.
Shqetësim për fermerët është bërë dhe Bashkia Konispol e cila sipas tyre i kanë mashtruar vetëm për vota. Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër shqetësim për ta.
“Me punëtorët këtë vit kemi shumë problem, sepse nuk ka punëtorë. Ka krizë të madhe punëtorësh, ka tërheqje, por nuk vijnë punëtorët. Kjo tregon se njerëzit ikin, nga varfëria kanë ikur njerëzit”, tha një tjetër fermer.
Fermerët shprehën shqetësim se Fondet e akorduara nga BE për bujqësinë po shpërndahen vetëm për miqtë e qeverisë.
“Kam marrë një takim me Ministren e Bujqësisë, kam shkuar ia kam çuar dokumentet atje dhe nuk m’i pranoi. I thashë: Dëgjo, atje ka nevojë që të investohet. Jo më tha. Prandaj nqs nuk do që të ma japësh mua, jepja një tjetri që të investojë tjetri” u shpreh një tjetër fermer.
“Dua që të shtoj diçka për lekët që vijnë nga BE-ja. Këtu këto mjetet bujqësore merren nga armiku, sepse kam aplikuar dy-tri herë për të marrë zetorin dhe njëkohësisht e kam humbur besimin edhe arrij e blej me lekë nga xhepi. Përse të mos përfitoja dhe unë siç kanë përfituar 5 miqtë e këtyre?! Çfarë duhet që të bëjmë ne më tepër? Kështu duhet të vazhdojë Shqipëria, me këtë ritëm? Kjo nuk është rruga e duhur!”, tha një tjetër.