Deputetja demokrate Ina Zhupa, një nga zërat më kritik ndaj ministres së Kulturës Elva Margariti, ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama krijoi një ministri të re duke shkrirë ministrinë e Kulturës me Ekonominë dhe në krye të saj emëroi Blendi Gonxhen.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se me krijimin e kësaj ministre, pra bashkimin e kulturës me ekonominë, është zyrtarizimi i trajtimit të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune.
Nuk mungon edhe një “përshëndetje” për Elva Margaritin, teksa i uron udhë të mbare dhe e konsideron si kurbanin e radhës. Sipas Zhupës, Margariti u përdor si vrasëse e kulturës dhe e hodhën poshtë duke i shkrirë edhe ministrinë.
Postimi i plotë:
Bashkimi i kulturës me ekonominë, zyrtarizimi i trajtimit të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune.
Shqipëria e trajtuar si plackë, ku nuk shpëton as kultura, shprehet qartësisht me këtë vendim.
Udhë të mbarë Elva Margariti, nuk do na mungosh fare, të përdorën si vrasëse të kulturës dhe të hodhën poshtë duke të shkrirë edhe ministrinë. Je kurbani i rradhës.
Tani vazhdo edhe ca ditë në bordin e koncesionit të Butrintit sa të dali vendimi i rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese dhe turpin ta lajnë me heqjen tënde.
Do votoj me të dyja duart që të ikësh ti nga kultura.
Gonxhja i Ramës do jetë edhe më keq se Margariti jam e bindur por përballë do na ketë hap pas hapi.