Sekretari Organizativ i PD-së, Enno Bozdo, ka denoncuar projektligjin e ri të qeverisë Rama, ku sipas tij, po i fal portin e Durrësit një kompanie arabe pa garë.
Sipas Bozdos, projektligji në fjalë, është i ngjashëm me nismën ligjore që përdori qeveria, për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për t’ia dhëne kompanisë Fusha.shpk.
Postimi i plotë:
Për Enno Bozdon nisma është hartuar nga e njëjta dorë dhe se ka synim të realizojë një tjetër “megavjedhje”.
Pas dy vitesh, e njëjta qeveri përsërit vetveten. Pas projektligjit për Teatrin Kombëtar, ku pasuria publike i falej kompanisë Fusha shpk, tashmë është radha e Portit të Durrësit që t`i falet një kompanie arabe.
Kaq identike është skema e vjedhjes, sa edhe projektligjet ngjajnë si dy pika uji. Qartazi janë hartuar nga e njëjta dorë!
Kështu, një projektligj i ri, i gatshëm për tu miratuar, do t`i japë Portin e Durrësit një kompanie arabe. Do t`ia japë pa garë, pas një procesi negocimi për të cilin askush nuk di asgjë.
Njësoj si me Teatrin, prona publike negociohet pa garë, për një projekt që e di vetëm Edi Rama dhe pjesëmarrësit e darkës së Nusretit.
Njësoj si me Teatrin Kombëtar, megavjedhja do të realizohet brenda ditës, do të ligjërohet me votat e maxhorancës, dhe fitimet do të shkojnë në të njëjtat xhepa.
Njësoj si me Teatrin Kombëtar, ndërtesat e Portit do të shemben për t`i hapur rrugë ndërtimeve të kompanisë.
Por megahajdutëria nuk ndalet këtu. “Në shitje” ka dalë dje edhe Porti i Vlorës. Edhe ky do të bëhet port jahtesh, ndërsa porti ekzistues nuk dihet se ku dhe me çfarë kostosh do të zhvendoset. Por kësaj radhe skema është më profesioniste: një koncesion 35 vjeçar do të vulosë këtë aferë!
Pas kësaj, sipas planeve te Edi Ramës, Shqipëria do të kthehet në republikë jahtesh, sepse portet e mallrave nuk dihet se ku do të jenë!