Akademiku Artan Fuga shkruan për zhvillimet e fundit në PD, ku Kryesia vendosi përjashtimin përgjithmonë të Sali Berishës dhe 8 personave të tjerë, për dhunën e ushtruar më datë 8 janar në selinë blu. Ai thotë se Basha me vendimin e fundit, i ka “dhuruar” Berishë grupin e vet parlamentar në Kuvend.
Shkruan Artan Fuga
Pas dhunës dhe skenave të dhunës që u “dhuroi” shqiptarëve në televizion, dhe gjithë planetit, skenat e turpit ku nga të dy palët u kthye logjika barbare dhe primitive e ushtrimit të dhunës paramilitare ndaj kundërshtatit, çështjet u “zgjidhën” me vetëgjyqësi, trupi i deputetëve dhe i politikanëve u përdor si “dash” prej mishi për goditje, ose si mburojë prej mishi për të ruajtur kështjellën, reciprokisht, Partia demokratike kaloi në një fazë të re.
Zoti Lulzim Basha i “dhuroi” mbrëmë vonë zoti Sali Berisha grupin e vet parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke përjashtuar “për jetë” një numër deputetësh tani këta nuk e kapërcejnë dot më “ylberin” dhe grupi i deputetëve në Kuvend rreth z. Sali Berisha u konsolidua plotësisht.
Të dy liderët u “rehatuan” pasi problem i para 9 shtatorit u zgjidh “me sukses”. Basha “plotësoi” kërkesën amerikane për t’a hequr nga grupi deputet demokrat Berishën, dhe Berisha që sikundër theksonte kishte ikur tashmë, dhe mbetej i izoluar në Kuvend, tani ka të dhuruar grupin e ri parlamentar nga partia e tij dhe nga njeriu që e futi dhe kapapultoi në politikë.
Nga i përjashtuar nga grupi i deputetëve demokratë, z. Berisha rivjen po me “ndihmën” e partisë së tij dhe të drejtuesit të saj, me një grup të konsoliduar deputetësh në Kuvend.
Nderi lahet me nder! Ky ishte rezultati politik objektiv i ngjarjeve! E them pa pikë pasioni! Të dy palët e arritën qëllimin maksimal. E ndihmuan njeri tjetrin në ditë të keqe!