Këshilli i Lartë i Prokurorisë ditën e sotme ka zhvilluar seancën plenare të radhës. Seanca u zhvillua në prani të dhjetë anëtarëve, ndërkohë Sandër Beci nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje, për arsye shëndetësore.
KLP bën me dije se gjatë kësaj mbledhje Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të Moisi Duda në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, për një periudhë tremujore, nga data kur ky vendim hyn në fuqi.
Gjithashtu me shumicë votash nga Këshilli u vendos për zgjatjen e afatit me një periudhë tjetër tremujore, për pesë caktime të përkohshme, të cilat janë për z. Asllan Bajramaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet; të z. Aurel Zarka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë; të z. Kledian Llaho, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë; të znj. Elidjana Kasa, në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe të z. Kujtim Basha, në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.