NGA GELANDA SHKURTAJ
Ballafaqimi me historinë nxjerr të vërteta kokëforte që shkojnë përtej kredos, për të gjithë ata që kërkojnë t’i japin një përgjigje moszhvillimit të Shqipërisë. Ekziston një masë e konsiderueshme e atyre që janë në unison me spekulimin se “ky vend nuk bëhet” ku, pa asnjë gjykim kritik, por me bindje gati metafizike janë sugjestionuar se ka një mallkim perëndish ndaj një kombi që nuk arrin dot të bëhet i mirë i vetes së tij. Kthimi në retrospektivë vlen për të kërkuar shumë përse, ndër të cilat problemi i pazgjidhur që nis me interesin e ngushtë për karrigen e që përfundon te mungesa e një identiteti kombëtar apo ideologjik. Strategu ushtarak dhe politik, ndër më të mëdhenjtë e këtij kombi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, megjithëse i formuar në lindje, vendosi dhe ruajti të pacenuara marrëdhëniet me perëndimin, duke nënshkruar traktate e duke shkëmbyer tregti, kulturë dhe njerëz në situata jo fort të qeta për Europën mesjetare. Edhe pse Shqipëria ishte një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, Arbëria u drejtua prej vizionarit, i cili ktheu velat nga Europa që lundronte midis humanizmit dhe rilindjes. Përçarjet midis principatave shqiptare që u stisën nga smirat dhe ambiciet për pushtet personal dhe fisnor, nuk do të çonin deri në fund amanetin e bashkimit kombëtar drejt perëndimit. Në ato kohë, të tillë syresh Europa kishte parë plot, por ambiciet e princave europianë njihnin një kufi, kur kryefjala bëhej atdhe dhe komb. Ndërkohë, vetë princat e vegjël të Shqipërisë së vogël, ndërseheshin nëse bashkimi i saj kërkonte heqjen dorë nga posti dhe ofiqet, dhe kjo i kushtoi asaj shekuj të tërë kthim të kursit së historisë dhe mungesë të identitetit kombëtar.
Në dekadat e para të shekullit të kaluar, u pa një interes i madh i të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë kryesisht të arsimuar në Perëndim, për të zgjedhur një regjim drejtues politik në vend. Terreni historik kishte lënë një Shqipëri vilajetesh, një lëvizje anarkiste të qershorit dhe një mbret i cili ishte shfaqur hapur me prirje filo-italiane, kur kjo e fundit kishte vendosur regjimin fashist. E gjetur në këtë situatë dhe padyshim e ndikuar nga rryma e majtë kryesisht ajo e nxitur nga lindja, edhe Shqipëria pati një ndikim të fortë të parimeve dhe ideve të komniternit. Kështu, në ndryshim nga si perceptohen sot, të majtë ishin edhe Musine Kokalari apo Isuf Luzaj, të cilët njihen si kundërshtarë të regjimit diktatorial të Hoxhës, dhe për këtë arsye mendohen se i përkisnin ideologjisë të së djathtës. Por, në fakt, ata i përkisnin të majtës, brenda së cilës njiheshin si intelektualë të spikatur, të orientuar nga socialdemokracia e për të mos thënë edhe nga idetë e demokracisë liberale dhe, ishin për një Shqipëri jo totalitare, kundër diktaturës dhe pro perëndimore. Idetë e tyre u shtypën nga po të majtët, por që ishin orientuar drejt parimeve lindore bolshevike për diktaturë të masave, ku këto të fundit të varfra dhe të sapodala pa bukë nga lufta, nuk dinin as të gjykonin. Ideologjia properëndimore që ata kërkuan të fusin Shqipërinë përfundoi me studenten e Sapienza-s, Musinenë e ndritur të braktisur deri në vdekjen që e mori të vetmuar në Rrëshen, ndërsa studenti i Sorbonës dhe “profesori i Amerikës”, Isuf Luzaj, ishte më fatndritur, sepse iku dhe nuk e pa më vendin e tij.
FANATIZMI SI FORMA MË SUBLIME E MEDIOKRITETIT. DUMBABIST-ËT E 2022
Mënyra e të gjykuarit ku të besosh se ka një të vërtetë të vetme, dhe ajo e vërtetë është “variant im”, është një tregues i fortë i kompleksit të inferioritetit në një shoqëri. Kjo formë të arsyetuari nuk është vetëm irracionale dhe jo pranuese ndaj kundërshtarit, por shpeshherë, sikundër ka ndodhur, përbën një rrezik shoqëror. Fallaci thotë se ka tri forma të opinionit ndaj një çështje: varianti im, varianti yt dhe e vërteta. Edhe pse kjo e fundit është ajo çfarë secili njeh si të vetmen të vërtetë, ka mundësi që të shihet edhe ndryshe. Ndodh që vendosja në pozicionin dhe vendin e kundërshtarit ndihmon që gjykimi të afrohet shumë drejt objektives në lidhje me një fakt. Por kjo vështirë se ndodh në habitatin e shqiptarëve, sepse historia e regjimeve totalitare ka treguar dhe vijon të tregojë se karakteristikë dalluese të tyre kanë fanatizmin e besimit të masave. “Leva” e forcës politike të lider shipit në këto masa është mashtrimi dhe “shpëlarja e trurit”, e cila për të mos ndodhur kërkon një nivel shumë të lartë ndërgjegje kritike të individit. Transformimi që i bëhet gënjeshtrës shkon deri në atë pikë ku ajo bëhet më e besueshme se vetë e vërteta. Kjo bëhet në interes të atyre regjimeve që duan të instalohen, duke prishur ndryshimin e kursit politik me qëllimin që të monopolizojnë pushtetin. Por, po u monopolizua pushteti, sikundër vihet re edhe sot në ligjëratën politike në Shqipëri, pasoja e tij e drejtpërsëdrejti është instrumentalizmi i masave dhe i arsyetimit të tyre e për pasojë edhe e identiteteve të tyre politike dhe ideologjike. Këto forma sjellje çojnë në një rrugë të ngushtë, kundër parimeve të demokracisë aq të kërkuar, të përligjur e të përfolur.
Dumbabën apo dumbabizmi është kthyer në një fenomen kombëtar, ku përkufizimi mund të kuptohet vetëm në kontekstin politik dhe historik shqiptar. Nënteksti tanimë, si në publicistikë, edhe në socialen, përkufizon atë sjellje njerëzore tipike shqiptare, e cila shkon në kundërshtim me kronosin e kohës, me përparimin, prosperitetin, zhvillimin dhe demokracinë. Kjo bëhet vetëm për kultin e një individi, i cili di si të përdorë të gjitha mjetet e manipulimit, kryesisht atë të karizmës dhe trushpëlarjes, shoqëruar hera-herës me atë të dhunës, dhe ku “baba” bëhet mentori, shëruesi dhe ideatori i psikologjisë së masave puthadore. Është një mit shqiptar i krijuar nga i madhi Kadare, marrë nga një kontekst historik dhe real e ndofta do të mbetet një ndër mitet më identifikues të Shqipërisë dhe shqiptarit, ku shpjegohen trenat e humbur drejt perëndimit, të së shkuarës dhe së tashmes.
PRO-AMERIKANIZMI I SHQIPTARËVE
Kujtesa e afërt ka ngrirë përballë imazhit të shqiptarit, i cili që prej ‘90 e deri më sot pret ndoshta lotarinë amerikane me më shumë entuziazëm se ardhjen në jetë të një fëmije. Në një vend ku emigranti shihet akoma si qenie me fat dhe kryesisht ai i Amerikës si më fatlumi, është për t’u pranuar fakti se ka një qasje shumë pozitive të shqiptarëve ndaj politikës së emigracionit dhe të mirëqenies amerikane. Duhet pranuar gjithashtu edhe fakti se mbështetja amerikane është kërkuar dhe pritur krahëhapur nga e gjithë kasta drejtuese e deri tek qytetari më i thjeshtë shqiptarë. Frytet janë parë. Shqipëria ka simotrën Kosovë sot të pavarur dhe arsyeja e kësaj pavarësie nis e përfundon nga diplomacia deri te ndërhyrja e Amerikës.
Qëndrimi i politikës amerikane në shumë faza të historisë post-diktaturë ka qenë dhe mbetet determinant në zhvillimet politike të vendit. Këtë qasje e lypi koha dhe e voliti interesi gjeopolitik i Shqipërisë së dalë e rrënuar nga 45 vjet diktaturë komuniste. Në një gjykim asnjanës, faktori amerikan ka shfaqur gjithmonë në mënyrë diplomatike një qëndrim të tij kundrejt eksponentëve të politikës. Nëse kjo mund të konsiderohet si “ndërhyrje” apo diku lexohet edhe si “prekje e sovranitetit”, këto janë gjykime të pabaza pasi mbajtja e një qëndrimi as cenon dhe as prek integritetin e një shteti. Hedhja e fajeve nuk legjitimon dhe as justifikon paaftësinë e një shteti të vërë në vijë problemet e tij të brendshme. Problemi hiperbolizohet e madje amplifikohet nga “trushpëlarja” e dumbabistëve të 2022-it, që qëndrimin në pushtet të një krahu apo rrëzimin e një tjetri e arsyetojnë me logjikën e “nuses që fle me mullixhiun”. Amerika duhet të njihet nga shqiptarët përpos si një vend i mirë për të jetuar dhe punuar, edhe nga historia e demokracisë që e ka bërë të jetë, ai shtet që është sot. Demokracitë e konsoliduara, në ndryshim nga vendet postdiktaturë, japin një leksion se si duhet të sillesh dhe të mirëkuptohesh për të qenë minimalisht pjesë e tryezës së fjalës dhe bisedës. Kapriçot megalomane, duke përdorur masat dhe psikologjinë e fenomenit dumbabizëm, mund të kenë vlerë vetëm në habitatin e kufizuar sa largpamësia e mendjes së tyre. Sa herë është vënë në pikëpyetje konflikti midis interesit kombëtar dhe atij të karriges, historia jonë ka parë pak, për të mos thënë aspak liderë që të sakrifikojnë të dytën. E nëse kjo mendësi, ka për bazë çmendurinë e “babës” së etur për pushtet dhe mbështetjen dumbabistëve, atëherë kombi nuk duhet të presë nga perënditë e aq më keq të drejtojë gishtin kundër të tjerëve. Problemi i vetëm është të qenit mendjembrapshtë si mallkim ndaj vetvetes.