Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Besart Xhaferri, komentoi në Syri Tv, problemet në arsim dhe rritjen e inflacionit në vend. Sipas Xhaferrit, 52 për qind e prindërve nuk i përballojnë dot kostot që viti i ri shkollor nis nesër për fëmijët.
“Po nis viti i ri shkollor, të gjithë kanë pritshmëri për një vit të mbarë, por problemi është se këtë vit nis me një indeksim çmimi shumë të lartë, inflacioni ka goditur çdo sektor dhe prindërit ballafaqohen me sektorin që është baza materiale për të shkuar fëmijët e tyre në shkollë, çanta, fletore, stilolapsa.
Janë 25 për qind më shtrenjt se një vit më parë. Marrin edhe para borxh prindërit që fëmijëve mos t’i mungojë gjë. Dija dhe arsimi në Kushtetutën e Shqipërisë është falas, këtu s’po merret vesh çfarë është falas.“-tha Xhaferri.
Më tej Xhaferri tha se këto janë plagë që kanë shumë vite, por çdo ditë po degradon më tepër teksa qeveria flet për godina të reja shkollash që duhet të hapen, ndërkohë shohim që nga tërmeti s’janë përfunduar ato që u prishën.
“Është një lloj degradimi që ndoshta me ironi të fatit nuk po shohim përkeqësim me numrin e nxënësve në klasa nëpër zona shumë të urbanizuara vetëm nga shpopullimi që po i ndodh Shqipërisë. Problemet në arsim s’janë vetëm për arsimin e lartë, por po keqformojmë ata që do furnizojnë gjithmonë jetën qytetare.
Fëmijët që nga çerdhja, kopshti, s’kanë kushtet e duhura. Tirana ka probleme të mëdha. Nëse në rrethe kthehen në klasa kolektive, në Tiranë ka lagje si Fresku apo Astiri që s’kanë zyrtarisht asnjë institucion publik arsimor.
Këto janë faktet ulëritëse që shohin dita ditës prindërit. Nuk e di në çfarë Shqipërie jeton Edi Rama apo ministrja që na del me një fasadë të kuruar me inaugurime shkollash kur në fund fare, librat që marrin fëmijët tanë janë të përdorur, me dëme, që më mirë mos ti kesh fare.”, deklaroi Xhaferri.