Ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi gjatë një daljeje për media këtë të enjte se Raporti i progresit të Komisionit Evropian, vlerëson pozitivisht punën e bërë nga qeveria shqiptare, por theksoi se nuk duhet pritur që dokumenti të jetë fletë lavdërimi.
Xhaçka tha se “Raporti njeh punën e madhe që është bërë dhe konfirmon progresin e Shqipërisë”, ndërsa shtoi se “në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje”. Ajo shtoi gjithashtu se ecuria e mirë bazohet dhe mbi përafrimin që Shqipëria i ka bërë politikës së saj të jashtme me axhendën e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian.
DEKLARATA E PLOTË PËR SHTYP
Pas publikimit të Raportit të vitit 2022 nga Komisioni Evropian
Publikimi i Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë shënon prej vitesh një moment të rëndësishëm jo vetëm për qeverinë e për klasën politike, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Për qeverinë e klasën politike sigurisht ky është një moment kur ne marrim një vlerësim objektiv teknik të punës që kemi bërë lidhur me reformat e integrimit, por edhe një udhërrëfyes për punën që na duhet ende të bëjmë.
Për shoqërinë shqiptare, si një shoqëri që beson tek objektivi i integrimit europian me një unanimitet të paimagjinueshëm për shumë vende të tjera, ky është një moment për të parë sesa përparim ka shënuar vendi në këtë rrugëtim modernizues e evropianizues.
Sot, pas marrjes së raportit, mund të ndihemi mirë të gjithë sepse ky raport, i pari pas hapjes së negociatave për anëtarësim në 19 korrik 2022, e njeh punën e madhe që është bërë dhe konfirmon progresin e Shqipërisë.
Më konkretisht, raporti flet, dhe citoj, për “një njohje të angazhimit të qëndrueshëm, arritjeve të reformave dhe qëndrueshmërisë së Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së”. “Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare”.
Jo vetëm kaq, por raporti vlerëson se “Qeveria nuk e humbi fokusin në agjendën e BE-së, pavarësisht një sfide të trefishtë me tërmetin, pandeminë dhe luftën në Ukrainë; administrata publike mbeti e përkushtuar përkundër sfidave” dhe vendi ka arritur progres të dukshëm në miratimin e acquis të BE-së në vitet e fundit, pavarësisht nga pritja e gjatë.
Ajo që është vërtet pozitive, në gjykimin tonë, është që vërejmë nga ana e Komisionit një shprehje të qartë të dimensionit gjeopolitik e strategjik të zgjerimit, çka është padyshim në linjë me qëndrimin e kahershëm të Shqipërisë se politika e zgjerimit është instrumenti më i mirë gjeopolitik i Bashkimit Evropian për të mbajtur fqinjësinë e tij të sigurt dhe të motivuar dhe për të mbajtur të paprekur dhe të qëndrueshme sferën e sigurisë evropiane.
Siç edhe theksohet në Komunikatën e Zgjerimit 2022, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një spirancë e fortë jo vetëm për prosperitetin, por edhe për paqen dhe sigurinë.
Komisioni i kushton më shumë rëndësi në paketën e zgjerimit 2022, sfidave gjeopolitike të krijuara nga agresioni rus në Ukrainë. Siç thekson edhe Raporti, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka rezonuar fuqishëm në të gjithë rajonin dhe ka nënvizuar më tej rëndësinë e harmonizimit të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë në procesin e zgjerimit.
Dhe lidhur me këtë, do të doja të nënvizoja sot me krenari disa nga gjetjet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2022 nga fushat e politikës së jashtme, të sigurisë e të mbrojtjes, që më në fund kanë marrë rëndësinë që meritojnë në vlerësimin e vendeve kandidate.
“Në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje; në fushën e marrëdhënieve me jashtë, Shqipëria ka bërë disa përparime; ndërkohë në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, Shqipëria ka bërë progres të mirë” shprehet raporti.
Ecuria shumë e mirë bazohet në “Përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të BE-së nga Shqipëria duke dhënë një sinjal të fortë të zgjedhjes së saj strategjike të anëtarësimit në BE”.
Ndihem po ashtu vërtet mirë për vlerësimin e lartë që ka marrë në Raport puna e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke nënvizuar përkushtimin në përmbushjen e prioriteteve tona për të përfaqësuar veten, rajonin tonë, kontinentin tonë dhe të gjithë ata që besojnë në parimet dhe vlerat e rendit ndërkombëtar multilateral në ushtrimin e politikës së jashtme.
“Si një anëtare jo e përhershme që nga janari 2022, Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfshirë edhe si bashkë-hartuese e rezolutës që dënon agresionin rus në Ukrainë”, e jo vetëm.
Janë vlerësime, në dritën e të cilave Shqipëria shfaqet shumë qartë si partner aktiv dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, me një politikë të jashtme që bazohet në vlerat evropiane dhe të linjëzuar plotësisht me deklaratat dhe vendimet kufizuese të BE-së në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme e të sigurisë.
Nuk mund të lë pa përmendur po ashtu edhe vlerësimin që ka marrë vendi ynë për përkushtimin që Shqipëria ka treguar gjatë periudhës së raportimit në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit proaktiv rajonal, çka nuk ka qenë e lehtë me sfidat e shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, ndaj fqinjësisë së saj më të afërt me Ballkanin Perëndimor.
Qëndrimi ynë proaktiv dhe angazhimi i vendosur për bashkëpunimin rajonal dhe përqafimi i standarteve evropiane përpara anëtarësimit në BE, do të vijojë. Gjithkush do të mund të mbështetet tek Shqipëria si anëtare aktive e Procesit të Berlinit, si dhe e Nismës së Ballkanit të Hapur, duke luajtur rol balancues në çështjet rajonale.
Dua të thekesoj se raporti i progresit është një dokument pune që pasi identifikon arritjet përcakton fushat se ku do të përqëndrohet puna e përbashkët dhe dialogu me Komisionin Evropian në javët dhe muajt që vijnë.
Si i tillë, ky dokument nuk pritej dhe as mund të jetë fletë lavdërimi. Vlera e vërtetë e tij është të jetë themeli i vijimësisë së punës tonë me Komisionin Evropian, në mënyrë që raporti i vitit të ardhshëm të identifikojë fushat me përparim të mëtejshëm që do të na sjellin më afër ditës kur Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.