Bardhyl Reso, SHBA
M’u dha rasti të shoh në Dritare TV një emision sa të veçantë aq dhe kuptimplotë. Roli i të vërtetave për të pasur një shtet demokratik të vërtetë dhe një shoqëri me mirëqënie të vërtetë. Fjala e mbajtur nga biznesmeni Gjergj Luca në qytezën ku ka ngritur biznesin e tij dhe ku u zhvillua pritja në nder të ambasadorit japonez të akredituar në Tiranë si dhe mjaft të ftuarve nga ambasadat e tjera, më ka emocionuar pa masë.
E dua të vërtetën, sepse dua Shqipërinë!
Pasi falenderoi me shumë finesë me përuljen karakteristike japoneze, për ndihmën që iu mundësua biznesit të tij për të kapërcyer kontinentin deri në Japoninë e largët, një nga vendet më të zhvilluara në botë në industrinë e peshkut, zoti Luca falenderoi të gjitha ambasadat e shteteve të tjera për ndihmën e vazhdueshme që i japin Shqipërisë për të ecur para në këtë periudhë të gjatë e të vështirë të tranzicionit politik dhe ekonomik.
Ajo ç’ka më bëri më shumë përshtypje dhe më frymëzoi për këtë shkrim të shkurtër, ishte zbërthimi filozofik, mund të them, që Zoti Luca i bëri nocionit të “së vërtetave” dhe rolit të tyre themelor për një ndërgjegjësim të dobishëm të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë.
Megjithëse të vërtetat kanë vetëm dy kohë, të shkuarën dhe të tashmen, njohja e saktë e tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjykuar dhe punuar se si do të ndërtojmë të ardhmen tonë.
Në fjalën e tij, Zoti Luca theksoi se fatkeqësia e popullit tonë është se nuk i mëson siç duhet ose nuk i mëson dot fare të vërtetat sepse janë mediat dhe politikanët, ata që populli i ka zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe qeverisur, që fallsifikojnë ose përçudnojnë të vërtetat për përfitime personale.
Të vërtetat, qofshin të së kaluarës apo të së tashmes, siç e thashë dhe më lart, janë udhërrëfyese për një të ardhme më të begatë dhe është për t’u admiruar që Zoti Luca foli me aq pasion dhe argumenta të pakundërshtueshme mbi rolin e të vërtetave dhe nevojën e jashtëzakonshme që ato t’u bëhen të ditura popullit.DRITARE.NET