Viti i ri akademik nis mes protestash dhe pakënaqësish nga shumë pedagogë dhe studentë. Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar publikisht pas paralajmërimeve të pedagogëve se nuk do të nisin punë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.
Ai shkruan se pas 32 vitesh liri, pedagogët vijojnë të mbeten shtresa më e keqtrajtuar në aspektin ekonomik, ndaj shton se protesta e tyre është dinjitoze dhe e drejtë.
Reagimi i plotë:
Sot është dita e parë e mësimdhënies universitare. Do të donim të bënim urimet tradicionale por diçka na pengon. Pedagogë e studentë janë sot në grevë për një trajtim dinjitoz. Ata nuk po kërkojnë të krahasohen me Italinë, Gjermaninë a Francën! Joo ! Thjesht me Kosovën e cila si ka përmbushur ënde dy dekada pavarësi. Nuk ka shoqëri dinjitoze e shtet serioz pa një Universitet cilësor. Pa cilësi nuk ka elita dhe pa to nuk ka progres.
Pas 32 vitesh liri ëndë ata kanë mbetur shtresa më e keqtrajtuar ekonomikisht dhe pa status. Ligji i arsimit të lartë kaq i kundërshtuar nga pedagoget nuk u bë kurrë zgjidhje për asgjë. Në shumë vende europiane shteti asiston ekonomikisht Universitetet publike. Sa herë protestojnë a kërkojnë diçka pedagoget tentohet kundërvënia ndaj tyre e shtresave të ndryshme sociale apo “lufta e klasave” me studentet dhe gjithmonë në horizont shfaqet një ” hall” apo “krize”.
A ju ka borxh Partia Demokratike Universiteteve dhe pedagogëve? Sigurisht qe ju ka dhe shumë por prej gati 10 vitesh vendi qeveriset nga Partia Socialiste e 10 vjet janë tepër për ti lënë në harresë nëse objektiv nuk është dekulturimi i shoqërisë si mënyra më e lehtë e sundimit dhe manipulimit. Protestat janë gjithmonë emancipuese. Ato e ndihmojnë trupën akademike të formësojë sa më shumë pavarësi nga politika.
Opozita e mbështet këtë përpjekje të drejtë pedagogëve pa marrë flamurin e kesaj levizje dhe pa tentuar ta përdorë atë per qëllimet e veta të ditës. I bëj thirrje koleges Kushi si pedagog të ngrejë zërin për të mbështetur shtresën e saj e po kaq Kryeministrit Rama i cili nëse e ka seriozisht konfiskimin e pallateve pa leje të oligarkëve i ka gjetur aty rrogat e pedagogëve për 10 vitet e ardhshme. Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë. Dija dhe kurajo do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. Pedagoget sot janë shembulli.