Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar këtë pasdite në rubrikën “Opinion” në News24, ku foli për urdhërarrestet e lëshuara së fundmi nga SPAK për disa persona që dyshohen se janë të përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Hoxha u shpre se “kjo është vala e tretë që SPAK reagon me veprime konkrete për inceneratorët”, ndërsa shton se u “duk sikur kjo çështje u sfumua në verë të këtij viti, por veprimet e fundit që përputhen dhe me afatet e hetimit që ka prokuroria, bën që të rikthehen dhe një herë në skenë kjo çështje”.
Por Hoxha thotë që për këtë çështje prokuroria duhej të kishte reaguar shumë më shpejt sepse ka pasur prova konkrete, shkresore për aferën.
“Kam përshtypjen që prokuroria duhej të vepronte shumë më shpejt se ka prova shkresore dhe s’të kërkon të gjesh prova materiale, por është një hetim me një dokumentacion të protokolluar, të duhet vetëm të marrësh specialistët e duhur.
Në këto momente ndodhemi në fazën që kemi shpallur në kërkim Klodian Zoto, dhe ai mund të zbërthejë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai.