Një i ri që vuan nga epilepsia pretendon se është bullizuar nga stafi i spitalit të Shkodrës. Babai i të riut, Çesk Barboçi tregon, se një infermier në spital ka kryer akte bullizimi ndaj të birit, gjatë kohës që ai merrte mjekim. Familjarët e të riut kanë bërë ankesa në drejtorinë e spitalit, por nga ky institucion nuk ka pasur asnjë reagim.
Ky është Jakin Barboçi, i cili vuan nga epilepsia, dhe prej 10 vjetësh kurohet në spitalin e Shkodrës.
Por, gjatë muajve të fundit, Jakini është bullizuar nga stafi i spitalit. Këtë e dëshmon vetë i riu, i cili tregon se ka qenë duke marrë serum, kur një infermier i spitalit e ka kapur prej fyti duke e kërcënuar.
Babai i Jakinit, Çesku me lot në sy, ngre akuza për bullizimin e të birit nga stafi i spitalit, ndërsa ankesat e tij në drejtorinë e spitalit dhe polici nuk janë marrë në konsideratë.
79-vjeçari tregon se për këtë rast ka bërë denoncim te Komisioneri Kundër Diskriminimit, por deri tani nuk ka gjetur zgjidhje.
Për këtë denoncim të rëndë, Syri Televizion kërkoi të pyeste drejtoreshën e spitalit Xheni Halili. Por gazetarët jo vetëm që nuk u pritën në spital për takim, por drejtoresha nuk u përgjigjet as në telefon.
Burimi: Nga SyriTv