NJË “HARRESË” E SHËMTUAR NË FESTIVALIN E RTSH-SË

0
8857
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një “harresë” e shëmtuar në Festivalin e RTSH-së

Nga Luan Rama

Meqenëse organizatorët e Festivalit të 61-të të këngës në radiotelevizionin shqiptar zgjodhën të na ofronin në natën e tretë të festivalit një shfaqje me këngë nga historia e kësaj ngjarjeje të madhe të muzikës shqiptare (ah sikur festivali të ishte edhe tani ngjarje e madhe e këngës tonë!), edhe unë vendosa ta ndjek këtë natë këngësh të zgjedhura, për t’u ritakuar me këngë dhe këngëtarë që kanë shenjuar rrugëtimin e këngës tonë prej festivalit në festival, i bindur se përzgjedhja do të ishte edhe një moment nderimi, homazhi e vëmendjeje për krijuesit e atyre këngëve, pra edhe për kompozitorët, për poetët, për këngëtarët dhe brezat e tyre.

Mirëpo, më bëri përshtypje një “harresë” e shëmtuar e organizatorëve, të cilët, për një pjesë të këngëve, nuk i përmendën as kompozitorët dhe as poetët e këngëve të përzgjedhura.

Shumë bukur për shembull që ndër këngët e zgjedhura ishte edhe kënga “Ne jemi tre” e kënduar nga Qemal Kërtusha. Shumë mirë që u kujtua me nderim edhe këngëtari aq i njohur për zërin melodioz dhe aq të veçantë. Po përse nuk iu tha publikut që atë këngë e ka kompozuar kompozitori ynë i madh Agim Krajka mbi poezinë e Haxhi Ramës dhe të Koçi Petritit?!

strong>Po kështu, prania dhe interpretimi i Luan Zhegut i bëri një nder të veçantë festivalit dhe risjella e këngës “A do vish?” jo rastësisht ndezi të gjithë sallën, po përse nuk iu tha publikut që tekstin e kësaj kënge e ka bërë një prej poetëve më të pranishëm në festivalet tona, Agim Doçi dhe muzikën aq të bukur e ka kompozuar Osman Mula?!

Pa sjellë më shumë fakte me këngë dhe autorë të tjerë, dua të them se jo vetëm është detyrim formal në respekt të të drejtës së autorit përmendja e autorëve të këngës, por më shumë se kaq, është detyrim njerëzor, është detyrim etik, është shenjë vëmendjeje dhe respekti.

Kënga nuk është vetëm e këngëtarit. Madje, më parë se të jetë e tija, kënga është e kompozitorit dhe e poetit.

Ata që kanë organizuar dhe që drejtojnë festivalin e 61-të të këngës në RTSH, me sa duket nuk e dinë se pa kompozitorët dhe poetët, këngëtarët nuk do të kishin se çfarë të këndonin.

Por, meqë festivali ende vazhdon, organizatorët janë në kohë t’u kërkojnë ndjesë autorëve të “harruar”, anipse një pjesë prej tyre nuk janë gjallë.

Është gjallë emri i tyre, janë gjallë këngët e tyre, është e gjallë kujtesa e publikut dhe nderimi për artin që ata dhuruan.

Radiotelevizioni shqiptar e ka detyrim nderimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata artistë që i dhanë jetë dhe shpirt festivalit të këngës në 61 vite me radhë.

Zjarr Tv Ad