Si duket podcast-et janë kthyer në modë sëfundmi duke ‘rrëmbyer’ edhe politikanët në vendin tonë, përkatësisht, kryeminstri Rama dhe kreu i PD, Sali Berisha të cilët presantuan formatet e podcasteve duke rrëfyer sa pqe jetën personale, vitet e karrierës në politikë e deri tek ftesa e këtij të fundit ndaj Ramës, në emisionin e tij.
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka ironizuar kryeministrin Edi Rama dhe rivalin e tij Sali Berisha, për projektin e tyre të radhës, duke komunikuar me qytetarët përmes podcasteve.
Teksa diskutohej në Komisionin për Çështjet Ligjore, Majko shtroi pyetjen drejtuar AMA-s nëse këto podcast do të rregullohen me ligjin e ri të medias audio-vizive.
Majko u shpreh se ka ardhur koha që të diskutohet mbi hapësirën e ridimensionuar të tregut, duke marrë parasysh hovin e madh që kanë marrë hapësirat online.
“Unë e kam pyetjen për përfaqësuesit e AMA-s. Pyetja mund të tingëllojë si ironi, por ndryshimet që vijnë sot kanë të bëjnë me ofruesit e shërbimeve të mediave audio-vizive Këto podcast që po dëgjojmë.
Rama do të krijojë një podcast të vetin edhe zoti Berisha po ashtu. Këto janë të rregulluara nga ky ligj? Janë nën rregulloren e këtij legjislacioni që po diskutojmë sot?
Kam përshtypjen se influenca e rrjeteve sociale po krijon disa zona të lira të ashtëquajtura ekonomike dhe këtu po diskutojmë për të kontrolluar disa mediave të licensuara në një kohë që tregu i medias është ridimensionuar. A ka fuqi AMA të ndërhyjë, apo duhen rregulla ligjore? Pyetja ime është a është e rregulluar kjo?”, tha Majko.