Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj tha në një intervistë për Euronews Albania se bashkimi i opozitës nuk mjafton.
Sipas tij duhet një rithemelim i vërtetë i opozitës dhe një rikonceptim i saj. Gjekmarkaj u shpreh se politikanët në Shqipëri nuk mendojnë arritjet personale për të shërbyer si lider, por çdo arritje ja dedikojnë ekskluzivisht vetëm vetes.
“Kur mendon veten, mbështetja të reduktohet, shtohet gjithmonë retorika. Unë nuk mbështes asnjë nga grupet, nuk shkoj në asnjë mbledhje. E di që është pak e çuditshme dhe është një pozicion jo komod sepse është më e lehtë të jësh palë.
Unë e shoh këtë si një luftë civile, një mish mash të paarsyeshëm, pa logjikë ku personat luajnë ngushtë për interesat e veta duke e shndërruar Partinë Demokratike në një fasadë,” – tha Gjekmarkaj.
Ai shtoi se PD-ja duhet të ringrihet me një gjuhë të re dhe të rinj që do të japin kontributin e tyre për të larguar plotësisht retorikën e vjetër politike, ndërsa shprehu keqardhjen duke theksuar se sot Partia Demokratike është më keq se kurrë.