Fuçia e barutit dhe tejkalimi i krizës

0
41
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ilir Kalemaj

Çfarë dimë për situatën

Vuciq refuzon Marrëveshjen e Ohrit!

Kurti e firmos pa entuziazëm por pa pasur një pranim të qartë të Asosacionit dhe pa një plan të qartë të implementimit të tij (përtej hedhjes se idesë për modelin kroat).

Vuciq ndërkohë po ballafaqohet me protestat më të forta në një dekadë për shkak të militarizimit të shoqërisë, vrasjeve brutale të të rinjve dhe shpërfaqjes publike të lidhjeve të tij me huliganët dhe krimin e organizuar.

Gati gjysma e serbëve të veriut të Kosovës janë ndërkohë në Beograd për të mbështetur Vuciqin në guerriljen urbane.

Pikërisht në këtë kohë Kurti, pa u konsultuar dhe në kundërshtim me vullnetin e aleatëve (SHBA+BE) zbarkon të zgjedhurit e tij vendorë në godinat qeveritarë duke eskaluar konfliktin.

Serbë jo vendas zbarkojnë për të rrahur trupat e KFOR, qëllojnë me plumba dhe godasin makina gazetarësh.

NATO paralajmëron rialokimin e 700 trupave shtesë.

SHBA përjashton Kosovën nga stërvitja Defender 2023 dhe paralajmëron ngrirjen e lobimit për njohjet duke shprehur hapur mosaprovimin me Kurtin.

Kurti i përgjigjet flakë për flakë Blinken duke e quajtur naiv qëndrimin e tij.

Marrëveshja e Ohrit rrezikon të hidhet në erë ndërkohë Veriu i Kosovës të kthehet në konflikt të ngrirë.

Rusia i ka dhënë ndërkohë planin operacional të “operacionit special” në Ukrainë Beogradit. Ky i fundit është kthyer në vatrën kryesore të spiunazhit rus në botë.

Vuciqi po arrin përmes diplomacisë shumëvektoriale të flasë rusisht me Kremlinin, kinezce me Pekinin, anglisht me Washingtonin dhe Brukselin dhe shqip me Ramën.

Statusi i Kosovës ngelet i paqartë për një të ardhme të afërt, në risk destabilizimi të brendshëm, me konflikt të ngrirë në Veri, duke tejkaluar momentin oportun gjeopolitik.

Mal i Zi rrëshqet në orbitat pro-serbe (potencialisht pro-ruse) pas zgjedhjeve parlamentare.

Bosnje-Herzegovina rrezikon destabilitet të brendshëm dhe potencialisht separatizëm serb.

Leksione dhe projeksione

Leksionet që rrjedhin nga këto fakte, mund të jenë disa, ashtu sikundër projeksionet të cilat variojnë nga ato optimiste në më pesimistet. E rëndëishme është të kuptohet pozita aktuale jo nga premisa moraliste apo nga anon e drejta, por nga premisa realiste dhe vencarisht ato që kanë parasysh raportin e fuqive. Thuqididi na ka paralajmëruar përmes ulimatumit të Athenianëve ndaj Melenianëve, në shekullin e 5të para Krishtit, se “Të fuqishmit kërkojnë atë që munden, dhe të dobëtit japin atë që duhet”. Natyrisht diplomacia amerikane në këto momente po lë të kuptohet se durimi është duke i sosur në lidhje me hapjen e një fronti të ri konflikti në Europë, ndërkohë që po mundohet të përballojë përmes diplomacisë ushtarake dhe kundër-inteligjencës agresionin rus në Ukrainë dhe rrezikun në rritje ndaj Moldavisë dhe hapësirave të tjera ish-sovjetike. Ndërkohë që kërcënohet dhe krahu lindor i NATOs të cilët kanë rritur dukshëm financimet ushtarake dhe gadishmërinë për t’u përballur me rrezikun e një lufte hibride nga ana e Rusisë. Luftëra që nuk deklarohen, kërcënime që nuk mund të trajtohen në mënyrë individuale, luftëra që kërkojnë sa forcim të sigurisë kibernetike, aq edhe kufizim të rrezikut që vjen nga spiunazhi, dezinformacioni, lajmet e rreme, operacione si ato të grupit Wagner etj.

Këto kërcënime po shfaqen në Ballkanin Perëndimor, sa në veri të Mitrovicës dhe komunat serbe atje, aq edhe në Mal të Zi, Bosnje-Herzegovinë dhe gjetkë por qëllimi në këtë rast është të parandalojnë rënien e plotë të Serbisë në krahët e Moskës sesa shpërblimi i Republikës së Kosovës që përfaqëson popullsinë më pro-amerikane, pro-NATO dhe pro-BE në botë.

Natyrisht Kosova deri tani ka humbur dy kryeministra në betejën e pamundur për implementimin e asosacionit me kushtet fillestare: Mustafën dhe Haradinaj, ka dy liderë të tjerë në Hagë: Thaçin dhe Veselin pikërisht për shkak të gjykatës së njëanshme speciale e cila në vetvete ëhstë paradoks pasi gjykon viktimën para se të dënojë agresorin. Kurti duket tashmë i kornizuar, por forma dhe mënyra që gjeti për të implementuar një vullnet politik të caktuar, linte për të dëshiruar.

Me fjalë të tjera, Albini mund të jetë moralisht në rregull, politikisht dhe elektoralisht i fortë edhe nëse jep dorëheqje apo e heqin, por rrethanat i ka kundër, mundësitë minimale dhe shanset për dëmtim të Kosovës që ka arritur vetëm 10 njohje prej 2013 ndërkohë që i është bërë dhe një fushatë e pandershme c’njohjesh nga Beogradi, janë në rritje. Kosova mund të rrezikojë njohjet e mëtejshme dhe mund të rifillojë fushata e ç’njohjeve nga Beogradi, veriu mund të humbet definitivisht, të paktën Zubin Potoku, Zvecani dhe Leposavic, mund të ngrijë me afat të pacaktuar hyrja në organizata ndërkombëtare përfshirë Këshillin e Evropës, mund të pezullohen ndihmat financiare, grantet dhe huatë me kushte të favorshme duke rrezikuar dhe fondin e ri sovran dhe parametrat makroekonomike të shtetit, futet në kalendat greke çështja e antarësimit në NATO dhe prospektet për integrim në BE, pezullohet liberalizimi i vizave etj.

Republikës së Kosovës nuk i duhet kjo tani, por restaurimi me shpejtësi i marrëdhënieve me amerikanët. Sinjalet e para janë lëshuar nga vetë Kurti dje në samitin e Bratislavës ku paralajmëron se është i gatshëm të dëgjojë kërkesa të serbëve për zgjedhje të përsëritura. Ndërkohë të mandatuarit e tij që gjithsesi nuk kanë aparat administrativ mund të jenë thjesht të dërguar politikë, në godina të tjera për të zbutur tensionet, të mos t’i lënë mundësi Vuciqit ta përdorë Kosovën në këto momente për të galvanizuar mbështetësit nacionalistë në Serbi për të mbijetuar politikisht.

Gjithashtu të bëj një orë e më parë një draft të propozuar nga qeveria e Kosovës për implementin e asosacionit në një mënyrë që nuk e shkel vendimin e Kushtetueses dhe në përputhje me Kushtetutën dhe integritetin territorial të Kosovës, gjetja e gjuhës me partitë e opozitës për të dalë me qëndrime të unifikuara dhe rifillimi me shpejtësi i procesit të dialogut. Gadishmëria e Kurtit për t’u përballur me këto procese, do e kthejnë nga një politikan të suksesshëm elektoralisht në një shtetar që vë interesin e komb-shtetit të tij, që rrethanat aktuale gjeopolitike nuk i ka më të favorshmet e mundshme.

Zjarr Tv Ad