T’u harroftë emri!

0
2255
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Hysni Gurra

Prej 20 vjetësh në politikën shqiptare endet një i ‘ri’ që thotë se unë jam e ardhmja.

Njeriu të cilit i janë dhënë shanse më shumë se kushdo tjetër, njeriu që ngjitjen në politikë nuk e ka bërë nga shkallët, por nga ashensori, sot i ngjan ‘Ali Komikut’.

Njeriun që PD e bëri deputet, disa herë ministër, kryetar Bashkie të Tiranës, njeriu që 10 vite rresht i kaloi në pushtet, njeriu që ju dha mundësia të udhëhiqte opozitën për 10 vjet, sot del dhe flet për të shkuarën dhe për të ardhmen!

Me veshjet e një 20 vjeçari (këto ditë mbush 50 vjeç), me 20 kalamaj 20 vjeçarë, sillet nga një qytet në tjetrin dhe thotë: ‘jam gati të marrë vendime në interes të demokratëve dhe shqiptarëve’.

Në politikë mosmirënjohja dhe thikat nuk të japin dinjitet, por ndoshta janë mjete mbijetese.

Në Shqipëri ka plot njerëz që nuk e duan, madje e urrejnë Berishën, nuk e duan madje e urrejnë Edi Ramën, nuk e duan madje e urrejnë Ilir Metën, nuk e duan madje e urrejnë vendosni kë emër të doni nga politikanët e sotëm dhe të djeshëm, por të gjithë këta politikanë që janë sharë dhe grirë nga publiku dhe me njëri-tjetrin kanë një emërues të përbashkët: janë njerëz të vërtetë!

Njeriu për të cilin po shkruaj është fallco. Nuk është vetvetja. Njeri që ‘gënjen edhe kur e pyet për orën’. Sot ka marrë rolin e karagjozit. Nuk përfaqëson askënd veç vetes dhe 20 personave që i sillen rrotull.

Qesh dhe në të njëjtën kohë mobilizon edhe ca gango. Ikën nga përballjet si djalli nga temjani, fyerjen dhe sharjen e quan debat.

1800 vetë në sallë i konsideron 5004. është i bindur se 7×7 bëjnë 42.

Ecën në rrugë me kokën ‘përpjetë’ a thua se pas tij janë miliona njerëz që presin një shenjë dhe të hidhen në zjarr për të. Fshihet kur duhet të dalë në ballë dhe del faqe burrash atëherë kur nuk i duhet as dreqit, flet kur duhet të heshtë dhe hesht kur duhet të ulërasë.

Është i bindur vetëm në një gjë që mund të dëmtojë sadopak demokratët dhe opozitën. Te ky motiv e gjen energjinë, kurajon dhe paturpësinë për të thënë: ‘unë jam demokrat, unë jam opozitar’.

Madje, mbani të qeshurën prite kur të thotë: ‘unë jam lider’.

Ky njeri meriton vetëm një ‘mallkim’ që është shumë i veçantë te shqiptarët: ‘t’u harroftë emri’.

Kjo është arsyeja që nuk i përmenda emrin e megjithatë kushdo që lexon këto rreshta e di për cilin mora mundimin të shpenzoj 5 minuta dhe jam i sigurtë që gjithsecili tund kokën dhe ka një buzëqeshje të hidhur në buzë për njeriun që nuk është vetvetja.

Zjarr Tv Ad