Ish-presidenti Bamir Topi duket se nuk ka pritshmëri nga zgjedhjet në Partinë Demokratike zyrtare. Sipas tij, të dy kandidatët, Lulzim Basha dhe Gjergj Hani nuk premtojnë në këtë garë.
I ftuar në emisionin “Frontline”, Topi tha se për Gjergj Hanin nuk kishte çfarë të thoshte sepse nuk e njihte personalisht, ndërsa për Lulzim Bashën, u shpreh se me të kaluarën e tij ka qenë mjaft i ekspozuar dhe nuk ke çfarë të shtosh.
“Unë kam respekt për cilindo që futet në një garë. Për Gjergj Hanin nuk kam çfarë të them se nuk e njoh. Kurse për Lulzim Bashën, ai është aq i ekspozuar sa nuk kam më çfarë të them. Një rikthim i sigurt i zotit Basha në krye të Partisë Demokratike zyrtare. Kaq.
Kur është folur për programe këtu?! Në tre palë zgjedhje që mbaj mend unë, njëherë është folur me timon, pastaj me daulle, gajde e tepsi. Si mund të ketë program këtu?! Këtu gara është e fituar nga Lulzim Basha.
Çdo njeri e bën kuvendin sipas vendit. AI vend ka këtë kuvend. Ky kuvend ka një prijës, tani a janë këta ata që unë pres të jenë standardi i një lideri, natyrisht që nuk janë pritshmëritë e mia”, u shpreh Bamir Topi, ish-presidenti i Shqipërisë.