Përse e presim me gjak të ngrirë fjalimin e Bill Clintonit në Tiranë

0
328
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Mero Baze

Ndërsa Bill Clinton do të jetë këto dy ditë në Tiranë si i ftuar i qeverisë shqiptare, të gjithë do të presim me gjak të ngrirë, nëse do na e kujtojë fjalinë e tij profetike që na tha të gjithëve 24 vite më parë, duke na kujtuar të mos humbasim paqen.

Në fjalimin e tij të parë kur Kosova sapo ishte çliruar, Presidenti i SHBA Bill Clinton u dha një mesazh të qartë shqiptarëve të Kosovës. “Ne fituam luftën kurse ju duhet të fitoni paqen”. Fjalia e tij profetike, 24 vite më vonë, ngre shumë pikëpyetje për udhëheqësit e sotëm politik të Kosovës, dhe për atë çfarë SHBA dhe Perëndimi në tërësi bëri për ta.

24 vite më parë SHBA dhe shqiptarët e fituan luftën, ndërsa sot Kosova rrezikon të humbas paqen e vendosur prej tyre.24 vite më pas, Albin Kurti, Kryeministri i sotëm i Kosovës, i cili e quante “lojë” futjen e NATO në Kosovë, quante “lojë” çlirimin e Kosovës, quante “lojë” shpalljen e pavarësisë e çdo proces të mëtejshëm që konsolidonte shtetin e Kosovës, sot më shumë se kurrë po e kthen në lojë gjithë investimin e SHBA në Kosovë. Objektivi i tij kryesor është përpjekja për të ngritur një front anrtiperëndimor në Kosovë, që të justifikojë aktet e tij populiste për nevoja elektorale, dhe të bëhet shqiptari më i votuar kundër Perëndimit në trojet shqiptare.

Askush nuk ka më një ide përfshi dhe Albin Kurtin se ku e mbështet ai tani e tutje strategjinë e sigurisë kombëtare të Kosovës, por është e qartë se Kosova sot është vendi i vetëm evropian nën sanksione nga Perëndimi.

Dy ditë më parë, Bashkimi Evropian anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e përbashkët mes BE dhe Ballkanit Perëndimor në Programin e Evropës Digjitale. Kosova u përjashtua nga takimi pa bërë zë, duke refuzuar pjesmarrjen e Delegacionit të saj në Bruksel, në ceremoninë e firmosjes së programit rregullator.

Kosova është nën sanksione për pjesëmarrje të zyrtarëve të lartë në takime në Bashkimin Evropian, është nën sanksione duke ngrirë gjithë programet e ndihmës financiare me interes të veçantë për Kosovën, si dhe refuzim të pjesëmarrjes së zyrtarëve të saj në gjithë takimet e MSA, komitete ekzekutive, nënkomitete etj.

Sikur të mos i mjaftonte Perëndimi, Albin Kurti po përpiqet të nxisë dhe armiqësi ndaj Shqipërisë dhe rolit të saj si vend që e bazon strategjinë e sigurimit kombëtar tek NATO dhe aleanca me Perëndimin. Dështimi i përpjekjeve të tij për ta përdorur Shqipërinë si çomage kundër Perëndimit, është kthyer në një platformë urrejtje të tij ndaj Shqipërisë.

Presidenti Bill Klinton do të flasë të hënën në mbrëmje në Tiranë në një ceremoni zyrtare. Shpresoj të ketë mëshirë dhe të mos na thotë që nuk e meritonit çlirimin, pasi SHBA ende nuk e identifikon Kosovën me Albin Kurtin.

24 vite më parë ai dhe Perëndimi futën nën sanksione Serbinë, duke zbuar ushtarin e fundit serb nga Kosova, kurse sot Bashkimi Evropian ka zbuar zyrtarin e parë të Kosovës nga takimet e saj.

Nga ana tjetër, ish-Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, për rrëzimin e të cilit më 1997, administrata e Clintonit ka rol vendimtar, është shpallur tanimë “non grata” nga SHBA dhe po punon me aq sa mundet të ngrejë dhe ai një front antiamerikan në Shqipëri.

Kjo diagramë dramatike e kthimit të Kosovës në një vend që po përballet me Perëndimin, dhe e Shqipërisë në një vend ku opozita kryesore ka si alternativë retorikën antiamerikane, për shkak të politikës së Albin Kurtit në Kosovë, dhe Sali Berishës në Shqipëri, është aksidenti më i rëndë historik që i ka ndodhur shqiptarëve në Ballkan.

Por ndërsa Shqipëria e ka izoluar dhe po e çmonton vatrën e saj antiamerikane, Albin Kurti po e kthen në premtim dhe sfidë rezistencën ndaj saj. Ndaj është në dorë të Kosovës të zgjedhë mes tij dhe lirisë së saj të rrezikuar.

Zjarr Tv Ad