Me Konicën pak çaste në Shqipërinë e zymtë ku sundon i Gjati Ramadan

0
193
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ndriçim Kulla

Që në numrin 1 të Albanias (1897), në kryeartikullin ‘Armiqtë e Shqipërisë’, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon ‘buka e barkut’, ‘buka e mendjes’ dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm.

Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancën e sotme aktuale:

‘Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në historinë e Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?

Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj’. Sot nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, fjala e tij derdhet e çiltër, e qëruar, e revoltuar e revoltuese njëkohësisht, por dhe shpërthyese me gjëmim rrufeje zeusiane për të goditur armiqtë e Shqiprisë së sotme të cilët sot janë bërë më të rrezikshëm se për fat të keq janë më dredharak.

Në numrin 2 të Albanias, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës, lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes Kombëtare tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin ‘Ç’është liria?’.

‘Dua të marr shpatën’, revoltohet ai, ‘e t’u çajë kokën gomerëve, e në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botojë letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… ‘s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…’ Dhe Konica përfundon me një thirrje sfidë që të bën të dridhesh shumë sot në Shqipërinë e sundimit e Të Gjatit Ramadan për aktualitetin e saj: ‘Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit.

Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin ‘Rritja mendore e popullit shqiptar’ (Albania, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon ‘zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre’, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit, në një fazë të dytë që ai e quan’lërimin e mendjes’, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim pra të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë.

Dhe populli, këmbëngul Konica, e ka dashurinë për ‘lërim të mendjes’, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, ‘këtu fle lepuri’, aty është çështja Sa aktuale!.. Gjendja e librit sot një katastrofë të vërtet, rrezikimi i vërtet i gjuhës unikale shqipe për shkak të mjerimit të kulturës së librit dhe degradimi arsimit si më s’ka , sot, në kohën e Të Gjatit Ramadan nuk e di sa do ta kishte përjetuar Rilindasi madh po të kishte mundësi ta kishte jetuar këtë gjendje!

Përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane.

Ky fshikullim i spikatur i viteve të ‘Albanias’, mund të ngrihet në një model të vërtetë të kriticizmit sot në kohën e Të Gjatit Ramadan. ‘E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjitha librat’. Me këto vargje nis njëra nga poezitë më të famshme të poetit francez Stefan Malarme. Por po njëlloj, kështu nis edhe njëra nga ato esetë e shkurtra të Konicës me titull ‘Jeta dhe librat’, e shkruar dukshëm mbi një reliev të qartë shpirtëror. Është ky një çast psikologjik, që e përqendron mendimin e tij te tragjedia ‘Prometeu i lidhur’ i Eskilit, një libër siç shkruan ai ‘i vjetër për nga mosha 2400-vjeçare’, por gjithnjë i ri për nga mendimet’.

Prometeu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, dramën e dashurisë së madhe që ai ka e kërkon të mbizotërojë tek njerëzit. Një hero i tillë, tek i cili ndoshta Konica frymëzohet edhe për veten, ka se ç’t’u thotë shqiptarëve të kësaj dekade të shek XXl , kur në Shqipërinë e sundimit të Të Gjatit Ramadan luftohet pikërisht kundra tiranisë dhe lirisë së mendimit. Është kjo ide një nisje emblematike e një sërë sprovash të cilat shtresëzohen në vite me tipologji e personazhe të rinj, që më tepër përfaqësojnë kategori të vërteta njerëzore, nëpër të cilat Konica do ta shtratëzojë analizën e vet, për të arritur në sprovën më të arrirë ‘Shqipëria si mu duk’, ku mendimi i tij, nëpërmjet një analize sociologjike e psikologjike, formëson një kategorizim të mirëfilltë antropologjik të shoqërisë shqiptare.

Ndërsa në ciklin ‘ Katër përralla nga Zullulandi’ (1922) , Zullutë paraqiten nga autori më shumë si një turmë se sa si një popull i ndërgjegjësuar, duke na lënë të nënkuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me njërën nga tipologjizimet ose kategoritë e tij sociologjike, mbi të cilat ai ndërton gjithë ligjërimin e llojit të kriticizmit dhe stigmatizimit. Dy janë udhëheqësit që mund të nxjerrë lëvizja spontane e zulluve.

I pari është Denizulla Sepia, një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, një njeri i fjalëve boshe,i gjinis֝ë së zhkarravinave dhe përfaqësues i interesave të ngushta e meskine. Duket se kjo kategori njerëzore, e përzgjedhur dhe skalitur kaq mjeshtërisht që para 100 viteve, në mesin e politikës shqiptare sot është më e gjallë se kurrë, madje ka dhe një kryeqeveritar në ballë sot i quajtur Igjati Ramadan. Përballë tij, autori vendos plugun, atdhetarin e flaktë dhe idealist, që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zulluland, atë lëvizje që i kthen zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet, të lirë, të qytetëruar dhe me nder.

Konica, ky psikolog i hollë i mendësisë individuale edhe kolektive shqiptare, e ka antropologjizuar në mënyrë të qëllimshme dukurinë e rëndësishme sociale të ekzistencës së turmës, si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga qëllimet dhe aspiratat ndërtuese, që pushtohet shumë shpesh nga instinkte dhe delire. Është ky një projektim gjenial me të cilin duhet të ndeshen mjaft mendimtarë shqiptarë të kohës së sotme, por që askush nuk do të dijë të arrij që ta shpjegojë dhe përshkruajë më kthjelltësisht se Konica.

Zjarr Tv Ad