Nga Enton Abilekaj
Në fund mbeti vetëm një shëtitje me charter nëpër kryeqytetet e Ballkanit. As Vuçiç, miku i tij, nuk ia dhuroi një dozë serioziteti çartjes me çarter që Kryeministri i Shqipërisë nisi befas si një festë e madhe ditëlindjeje që filloi në Tiranë me Clinton dhe vazhdoi nëpër Ballkan me homologët. I pari ishte Kovaçevski në Maqedoninë e Veriut që ia hodhi poshtë publikisht mbylljen e Ballkanit të Hapur. Pastaj Albin Kurti në Kosovë që e la poshtë ballkonit, si Romeon e Blushit.
Pastaj Kryeministrja e Bosnjes Borjana Kristo, që e detyroi të fliste për pirjen e duhanit dhe hapjen e Ambasadës në Sarajevë, madje ta përgojonte edhe në Mal të Zi, me Abazoviçin në krah. Ai ishte i vetmi që nuk e keqtrajtoi, përpara se të merrte grushtin përfundimtar në Serbi, me deklaratën e Vuçiç se Ballkani i Hapur do të vazhdojë dhe do të ketë takime të tjera.
Një tur i dështuar që rezultoi vetëm me një shpenzim të frikshëm i parave të popullit më të varfër të Europës, që i lejon Kryeministrit të fëstojë ditëlindjen duke ekspozuar dhuratat luksoze si Clinton, duke e shndërruar Kryeministrinë në ambient eventesh për sebepet personale, të tregojë me mburrje çarterin e personalizuar kur fluturon nëpër qokat personale.
Ky tur tregoi se Edi Ramës i duhet pushteti në Shqipëri vetëm si aset politik, strategjik dhe financiar për të sponsorizuar endrrën personale në skenën ndërkombëtare. Dështimi i tij, do të thotë që ky aset është hedhur në plehra. Dëshimi ishte i paevitueshëm, sepse nisma ishte qesharake. Shqipëria nuk mund të jetë vend garant i Procesit, jo vetëm se është shumë e vogël dhe shumë e varfër, por, mbi të gjitha, sepse është palë. Duke qenë palë, dyshimi i 5 vendeve të tjera nuk e lejon të bëhët nismëtare e vetme dhe as garantuese. Duke bërë si udhëheqës i Procesit të Berlinit, Edi Rama vetëm sa e kompromenton, duke ngjallur dyshimin tek vendet e tjera, nëse garantët e vërtetë, Gjarmania dhe Franca, do të favorizojnë Shqipërinë në këtë proces. Prandaj turi lukzoz ishte një dëm për Procesin e Berlinit.
Turi i Kryeministrit të Shqipërisë është gjithashtu i paprecedentë për një politikan të rajonit dhe, po aq i paprecentë në rrafshin global. Është sikur Kryeministri i Polonisë psh, të nisë një tur në vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania, Franca, Italia etj. përpara një Samiti që do të mbahet në Varshavë.
Do të ishte padyshim udhëtimi me qesharak dhe delirant në Europë.
Për një Samit, të cilit Shqipëria i siguron vetëm sigurinë dhe infrastrukturën, Edi Rama beri një fushatë. E vetmja kompetencë që ka ai në këtë Samit, është të kurojë mirë shijet kulinare të homologëve, pasi për temat e diskutimit dhe marrëveshjet do të vendosë Berlini dhe Parisi, siç ka ndodhur që kur Procesi i Berlinit u themelua.
Në këtë këndvështrim, është qartësisht një tentativë delirante për tu shfaqur, pa asnjë thelb, lideri rajonal që po pajton Ballkanin. Jo për të ndryshuar diçka, jo për të pajtuar Ballkanin se këtë ai e di që nuk i bën dot dhe faktet treguan që nuk e bëri dot, por për të dhënë mesazhin në Perëndim se ky është politikani që duhet mbështetur, se ky kërkon stabilitet, për të bindur ata që e mbikëqyrin në ëashington, Bruksel, Berlin dhe Paris, që të mos ia vënë re zgjedhjet e masakruara që e mbajnë në pushtet, korrupsionin galopant dhe pastrimin e parave, personalizimin e pushtetit dhe përdorimin e tij për interesa personale.
Ky delir i liderit rajonal, mund t’ i bënte dëm vetëm atij, nëse nuk do ta vinte Kosovën në këtë pozitë të vështirë që e ka vënë sot dhe nëse nuk do ta shndërronte Shqipërinë e varfër në infrastrukturën luksoze të personit që e ka marrë peng. Deliri i liderit Rajonal dhe fabula që e pason, janë duke e ekspozuar Kosovën si problem, sikur ajo është po aq fajtore sa Serbia për atë që po i ndodh në territorin e saj, sikur kokfortësia e Qeverisë po shkakton një tension që mund të çojë në konflikt. Këto teza të Vuçiç, është duke i përdorur sot për fat të keq Kryeministri i Shqipërisë, vetëm për të fituar statusin e negociatorit ndërkombëtar apo liderit rajonal si fasadë, në thelb vetëm për pushtetin e tij personal.
Anullimi i mbledhjes së dy qeverive si një sanksion ndaj Kosovës, pikërisht në kohën kur Kosova kishte më shumë nevojë për Shqipërinë, ishte një zell prej servili ndaj ndërkombëtarëve, një lutje që t’i japin atij këtë status të veçantë që kërkon. Gjithmonë, jo për të paqtuar rajonin, por për të konsoliduar pushtetin personal.
E gjithë çfarë beri për Kosovën në dy ditët e lavdisë së dëshpëruar, ishte në favor të Serbisë. Relativizoi bandat serbe, i përdori takimet me Osmanin dhe Konjufcën për të marrë kredite dhe pastaj i perdori takimet kundër tyre dhe kundër Kurtit. Vuri në pikëpyetje dëshirën e Kurtit për bashkëpunim duke e ekspozuar si shumë të vështirë pjesëmarrjen e tij në samitin e tetorit, duke bërë sikur nuk e di që, ndërsa ai me Vuçiçin dhe Zaevin merreshin me Ballkanin e Hapur, Kryeministri i Kosovës kërkonte vetëm Procesin e Berlinit.
Milionat e shpenzuara për dy ditë, janë një dëm që mund të justifikohej nëse do të sillte një përfitim sado minimal, jo një dëm akoma më të madh për shqiptarët e Kosovës.