Ish kryeministri, aktualisht deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko thotë se fitorja e Bashkisë së Kukësit erdhi për shkak të kandidatit të vendosur nga kjo forcë politike.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Majko u shpreh se nuk mund t’i kërkohet llogari PS, se pse e djathta është në kontraditë me veten.
Sipas Majkos, e djathta sot ka më të besuar Ilir Metën sesa Lulzim Bashën.
“Partia më e madhe në Kukës, nuk është PS apo PD, por “partia e dajave”. Fisi i kandidatit tonë, zona ku ai jeton, ka një influencë goxha të madhe, shtuar pastaj edhe elementë të natyrave të tjera, ishin shtesë, rrethim pozitivist i organizimit tonë, për të ndihmuar që ai djalë të fitonte siç fitoi.
Mendoj që nuk mund të kërkoni llogari tek PS pse e djathta është në kontraditë me veten. E djathta sot, më të besuar ka ish kolegun tim, me të cilin unë jam rritur, Ilir Metën sesa Lulzim Bashën, që e kanë marrë nga askushi dhe e kanë bërë dikushin. Si rregull, një cikël në politikë mbyllet kur ti fillon dhe përkufizohesh nga gënjeshtrat e tua dhe sot e djathta e ka sot këtë problem. Nëse ata menduan se ata po e quajnë bashkim atë që po ndodh, duke marrë Bardhin si drejtues të zëdhënies së politikës të së djathtës në Kukës, mendoj se ky ishte një nga gabimet.
Mendoj se kanë bërë edhe disa gabime të tjera. Mos kujtoni se nuk i shfrytëzuam këto gabime dhe elementë të tjerë të cilët ne i ndoqëm në mënyrë të detajuar. Ne i fituam zgjedhjet, kjo është fitore edhe e PS, por ka fituar Kukësi dhe kuksianët”, theksoi ai.