Përhapja e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka shtuar shqetësimin mes ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në një njoftim të një dite më parë, ekspertët e OBSH-së deklaruan epideminë e Ebolës si emergjencë shëndetësore publike.
“Rreziku i përhapjes së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe rajonet përreth mbetet shumë i lartë, ndërkohë që jashtë këtij rajoni është i ulët”, tha gjatë një deklarate për shtyp të mërkurën Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
“Ka ardhur momenti që edhe komuniteti ndërkombëtar të solidarizohet me popullin e Republikës Demokratike të Kongos”.
Ekspertët i frikësohen përhapjes së kësaj epidemie nga lëvizja e njerëzve nga një shtet në tjetrin, prandaj kërkojnë që të ketë një reagim të koordinuar ndërkombëtar.