Ambasada italiane bën thirrje për protesta paqësore dhe kërkon dialog politik

0
10
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pak orë para nisjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës në Tiranë, Ambasada italiane në Shqipëri u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës për tubim paqësor dhe të shmangin çdo akt dhune.

“Ambasada e Italisë në Tiranë respekton dhe mbështet plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por vazhdon të theksojë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ambasada e Italisë në Tiranë shpreh shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të Vendit. Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.

Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurtë, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë përshkallëzimi gjatë protestave” thuhet në deklaratë.

Ambasada italiane thekson se përdorimi i lëndëve shpërthyese apo çfarëdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm.

Në këtë kuadër, vijon Ambasada, autoritetet ligjzbatuese gjithashtu kanë përgjegjësinë të vazhdojnë të veprojnë me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave.

 

Zjarr Tv Ad