Analizë nga Preç Zogaj: Bashkim rreth kujt dhe nën drejtimin e kujt

0
298
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Preç Zogaj

Bashkimi është prej kohësh një fjalë-refren në gojën e gjithë përfaqësuesve të fraksioneve opozitare.

Për bashkim ka folur e vazhdon të flasë Sali Berisha. Të gjithë janë të mirëpritur nën hyqmin e tij. Me përjashtim të atyre që nuk pendohen për ndarjen me të, për të mirënjohurën arsye parimore dhe indentitare, për vetë PD-në. Që është ajo për orientimin, euroatlantizimin dhe marrëdhëniet e ngushta me SHBA e Perëndimin në të dyja korsitë: në vajtje dhe në ardhje. Pra hem të duam ne, hëm të na duan e të na njohin ata si euroatlantistë dhe miq të tyre.

Për bashkim kanë folur e flasin Lulzim Basha, Enkelejd Alibej, Gazmend Bardhi dhe shumë drejtues e deputetë të PD-së zyrtare, por duke mbajtur si vijë ndarëse të pakalueshme sanksionimin “non grata” nga SHBA dhe vende të tjera të Perëndimit. Do të thotë të Berishës, i vetmi i shpallur deri sot në familjen demokrate.

Këta të tre janë të vetmit që nuk e kanë mbajtur në nivel retorik, por e kanë shërbyer me fjalë dhe me akte bashkimin. Pas zgjedhjeve të pjesshme të gjashtë marsit në gjashtë bashki, në vitin 2022, ku rezultati i dy pjesëve të PD-së nuk arriti shumicën në pesë prej tyre, Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së zyrtare. Atëherë u tha se dorëheqja iu kërkua me forcë nga një pjesë e deputetëve si një akt që do të provokonte dorëheqjen e Berishës në krahun e Foltores, duke i hapur rrugë kësisoj bashkimit të PD-së.

Mendime të bukura, por naive. Berisha as e çonte nëpër mend të tërhiqej. Dorëheqja e Bashës sqaroi sidoqoftë një gjë më rendësi. Me provë e jo thjesht me analizë kësaj radhe: Berisha e kishte betejën e tij me SHBA. Emri i Bashës ishte maskimi i kësaj beteje, siç do të ishte emri Alibeajt më vonë, i Bardhit deri para ca kohësh dhe i kujtdo tjetri në krye të PD-së që do të mbajë si vijë demarkacioni në qëndrimet ndaj tij sanksionimin amerikan.

Alibej dhe Bardhi u investuan për daljen me kandidatë unikë në zgjedhjet vendore të 14 majit të këtij viti, duke mbështetur në shumicën dërmuese të bashkive kandidatët e primareve të Foltores. Ishte një propozim që synonte bashkimin e demokratëve në kutitë e votimit me një marrëveshje angazhuese të dy pjesëve për të dalë kreh për krah në fushatë përkrah kandidatëve unikë. Një propozim që nënkuptonte ngrirjen e konfliktit me Sali Berishën, duke qenë se zgjedhjet ishin vendore.

Sot e kësaj dite Berisha nuk është dëgjuar të shpjegohet pse e refuzoi këtë propozim, që do të kishte patur impakt shumë pozitiv në zbatim dhe sigurisht do të kishte mundësuar fitoren e kandidatëve demokratë në një numër të konsiderueshëm bashkish. Dihet se shumë demokratë të pjesës së PD-së zyrtare i mbështeten prapëseprapë kandidatët e Foltores, por ndryshe është kur mbështetjen e jep si individ dhe ndryshe kur mbështetja institucionalizohet.

Berisha ka përvojë të madhe, e njeh forcën e bashkimit. Refuzimi i tij nuk mund të ishte emocional. Ai nuk ka dashur të përziejë lëng, siç thotë një shprehje e popullit. Ai, sipas meje, kishte si mendim të parë motivues asgjësimin e PD-së euroatlantike. Dalja me kandidatë unikë e linte hapur, e shtynte në kohë këtë synim. Ndaj i ra shkurt me gjakftohtësi: Jo!

Zgjedhjet, siç dihet tashmë, qenë një dështim i dyfishtë për të. Siç ndodh kur vret lart pa parë poshtë. As e mbajti për të vetët premtimin e fitores, as e çoi në kufijtë e asgjësimit PD-në zyrtare.

Zgjedhjet e majit dhanë plot përgjigje pesimiste edhe për të ardhmen e opozitës. Berishës iu dha një rast tjetër të shërbente bashkimin. Të bënte një hap prapa si një reagim ndaj humbjes së thellë, të cilën s’kishte dhe s’ka pse ta konsiderojë si sefte. Sepse nuk është rishtar në krye të PD-së. Tërheqja e tij i hapte rrugën një procesi gjithëpërfshirës e përbashkues të riorganzimit të PD-së. Gjë që zgjidhte edhe problemin e Lulzim Bashës, për të gjithë ata që e kishin këtë problem, duke qenë se në një proces të tillë shanset për të fituar postin e kryetarit të PD-së së bashkuar i kishte një kandidat i Foltores. Nganjëherë, kur sheh sa shumë mundësi bashkimi kanë kaluar e janë djegur para syve të zotit Berisha të shkon mendja se ka ngecur si në një bunker dhe nuk di çfarë kërkon tamam-tamam.

Bashkimi është realisht një imperativ, një premisë e fortë për të fituar zgjedhjet. Por kur lihet në hava, pa e specifikuar rreth kujt e nën drejtimin e kujt, bashkimi mbetet një fjalë për të zbukuruar retorikën, për të qenë brenda apo një shkelje syri ndaj Sali Berishës.

Në fakt pyetja themelore sot është pikërisht kjo: bashkim rreth kujt, nën drejtimin e kujt? Më të qartët në këtë pikë janë Berisha dhe Basha. Të dy kërkojnë bashkim rreth vetës së tyre, nën drejtimin e tyre. Bashkimi nën drejtimin e Berishës, ndërkohë që nuk ka ndodhur asgjë e re që do të sugjeronte një rishikim të qëndrimeve të deritanishme të PD-së zyrtare ndaj tij, është pa asnjë perspektivë.

Kjo nuk do të thotë se individë të veçantë, që mund të kenë reflektuar, a mund të jenë penduar apo që bëjnë llogari pragmatike për shanset e zgjedhjes e rizgjedhjes deputetë, nuk e kalojnë vijën ndarëse e nuk hidhen në anën e Foltores. Sikurse ka e do të vijojë të ketë njerëz nga Foltorja që i bashkohen PD-së zyrtare.

Aktualisht, është një gjë e mirë që sekush të shkojë ku e gjen vetëm më mirë, në vendin e vet. Alternativa është forca politike, subjekti politik. Deputetët janë të subjektit. Aq më shumë deputetët e zgjedhur me lista. PD zyrtare duhet të vazhdojë, të riorganizohet e të forcohet. Ajo duhet të rimarrë publikisht mbështetjen e Uashingtonit, si në vjeshtën e vitit 2021 kur përfaqësuesit e Presidentit Biden dhe Departamentit të Shtetit deklaruan se presim të festojnë fitoren me PD-në si në vitin 1992. Kështu po që mund të mbledhë rreth vetes shumë e më shumë demokratë e zgjedhës të lirë.

Panorama e opozitarizmit nuk premton në asnjë anë për bashkime mekanike. Duke parë gjendjen dhe zhvillimet, “receta” e vetme realiste për fuqizimin e opozitarizmit sot dhe e fitores së mundshme kundër shumicës socialiste në zgjedhjet e ardhshme, mbetet institucionalizimi i opozitës plurale, njëlloj si në Itali, ku çdo subjekt punon të rritet në vetvete, ku rivaliteti i shëndetshëm zëvendëson luftën e paprinciptë brenda spektrit dhe beteja politike mbetet e fokusuar kundër qeverisë.

Zjarr Tv Ad