Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka deklaruar ditën e sotme nga selia blu se kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij e kanë kthyer qeverinë në krah politik të krimit të organizuar.
Ai publikoi fotot e Luftar Hysës duke hyrë në zyrat e kryeministrit ndërsa shton se ai është një prej katër vëllezërve shqiptarë që pastrojnë paratë e kartelit gjakatar Sinaloa.
Deklarata e plotë e Luçiano Boçit
Në vitin 2016, Edi Rama i drejtohej moderatores së një emisioni televiziv me fjalët: “E kam shumë të qartë kush je ti, sepse e kam parë serialin e fundit “Narcos”.
Provokimi i kryeministrit lidhej me faktin se, në serialin e famshëm, një gazetare ka lidhje me bosët e drogës të kartelit Medelin, kryesuar nga famëkeqi Pablo Eskobar.
Nëse përballja mes gazetares dhe kryeministrit do të përsëritej, në kushte ideale, e para duhej t’i drejtohej të dytit: “E kam të qartë kush jeni ju; kam parë foton e një anëtari të kartelit meksikan të drogës Sinaloa, duke dalë nga zyra juaj”.
Kjo është fotoja.
Në të shfaqen Luftar Hysa, një prej katër vëllezërve shqiptarë që pastrojnë paratë e kartelit gjakatar Sinaloa, sipas shtypit meksikan.
Në foto është edhe sivëllai i Taulant Ballës dhe Edi Ramës në punë të dyshimta, Dorian Duçka.
Për ata që nuk i kanë ndjekur lajmet, media botërore ka raportuar së fundmi se karteli i Sinaloas i pastron paratë e narkotrafikut në Shqipëri.
Aty përmenden emrat e vëllezëve Hysa që i ndihmojnë kriminelët meksikanë. Njëri prej vëllezërve shfaqet në foton që ju treguam duke dalë nga Kryeministria.
Ekspertët e krimit dhe të sigurisë theksojnë një gjë: kartelet meksikane nuk lëvizin asnjëherë në territore të reja, pa fituar më parë mbështetje politike.
Çfarë dëshmon kjo?
Asgjë më pak se atë që Partia Demokratike e ka bërë refren të ligjërimit: Edi Rama dhe ministrat e tij e kanë kthyer qeverinë e Republikës në krah politik të krimit të organizuar.
Me këtë foto Edi Rama e vulos emrin e vet si komisari politik i grupeve kriminale, nga Meksika në Shqipëri.
Me këtë foto shqiptarët kuptojnë se ekonomia e ndërtimit, e kazinove, e turizmit, që propogandohet nga kryeministri si sukses, është, jo vetëm kështjellë në hava, sepse nuk mbështetet në tregues dhe faktorë realë ekonomikë, por ka edhe themele kriminale.
Partia Demokratike dënon me forcë kriminalizimin e shtetit.
I bëjmë thirrje SPAK, por edhe partnerëve të huaj të vihen në lëvizje. Indiciet janë tashmë të forta dhe të certifikuara, dhe vijnë nga të katër anët: nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, nga parajsat fiskale dhe ‘republikat banane’, dhe përplasen në portin e Durrësit dhe në Tiranë.
Fakti që kanë mbërritur në zyrën e kryeministrit, janë gozhda e fundit mbi qivurin e një pushteti që është kthyer në rrezik për Shqipërinë.
Rama dhe shpura e tij nuk na qeverisin. Ata vetëm sa ndërmjetësojnë me grabitqarët e të gjitha llojeve pasuritë publike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Është misioni i të gjithëve, demokratë, të pavarur, neutralë e socialistë, ta rrëzojmë me protesta mbarëkombëbatre dhe votë të lirë!