Anulohet tenderi i artikujve ushqimorë për rezervat e shtetit

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dështon tenderi për blerjen e artikujve ushqimorë për Rezervat e Shtetit. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka njoftuar anulimin e kësaj procedure me argumentin se nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme.

Agjencia synonte blerjen e 8 artikujve ushqimorë me një fond prej 33.3 milionë lekëve pa TVSH. Në listën e produkteve janë 16 500 kg makarona, 25 800 oriz, 22 500 sheqer, 16 mijë litër vaj luledielli, 26 mijë kg fasule e bardhë, 200 mijë kg miell gruri dhe nga 2 mijë kg konserva viçi dhe kripë.

Për secilin nga këto produkte janë përcaktuar forma, përbërësit dhe treguesit fiziko-kimik që ato duhet të përmbajnë, ambalazhimi si dhe ruajtja dhe transportimi i tyre.

Nëse marrim rastin e miellit kërkohet që niveli maksimal i përmbajtjes së lagështisë të jetë 15%, përqindja e aciditetit jo më shumë se 0.115, gluten jo më pak se 25% dhe elementë të tjera specifike në lidhje me përbërjen.

Në dokument kërkohej gjithashtu që të merrej përsipër magazinimi dhe transporti i mallrave deri në tërheqjen e sasisë nga rezervat e shtetit.

Procedura vjen në një kohë kur ka pasur debate në lidhje me gjendjen e rezervave shtetërore të produkteve ushqimore dhe karburanteve, të cilat mund t’i vijnë në ndihmë vendit në një kohë krize. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë i ka kërkuar çdo furnizuesi që të blejë mallra për t’i mbajtur rezervë dhe nëse ato nuk shiten, do të jetë shteti ai që do t’i mbajë.

Zjarr Tv Ad