Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, në një artikull ka shkruar për kërkesën e SHBA’së ndaj Kosovës, për të hequr taksën 100% ndaj Serbisë.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar edhe një herë të premten nga Prishtina, që të heqë taksën 100% të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, dhe të vazhdojë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve me Beogradin.
‘Ne kujdesemi që as Kosova apo ndonjë mik tjetër i SHBA’së të mos ndërmarrë veprime që bien ndesh me interesat tona, pa u përballur me pasojat për marrëdhëniet tona dypalëshe’, thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Reuters e quan këtë paralajmërim të Washingtonit ndaj Kosovës, si më të fuqishmin që prej kur vendi ka shpallur pavarësinë, transmeton Metro.
Serbia në anën tjetër, i ka quajtur këto tarifa ‘të çmendura’ dhe ka bërë të ditur se nuk do t’u rikthehet bisedimeve derisa të heqën ato.
Sidoqoftë, kryeministri Haradinaj nuk e ka komentuar as paralajmërimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, e as raportimet rreth kësaj.
Kujtojmë se Kosova gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve serbe, dhe atyre boshnjake.