Dy persona janë arrestuar nga FBI-ja në Shtetet e Bashkuara pasi po planifikonin një sulm terrorist në Nju Jork.
Sipas mediave amerikane, Jaylyn Christopher Molina nga San Antonio në Teksas dhe Kristopher Sean Matthews nga Karolina e Jugut, po planifikonin sulm terrorist në emër të Shtetit Islamik.
Sipas “KSAT” që siguroi dokumentet e FBI-së ku ishin përgjuar bisedat e dy të arrestuarve, ata po planifikonin të kryenin një sulm terrorist, ndërsa Matthews sugjeroi se do të ishte më mirë të sulmonin ndërtesa qeveritare sesa qendra tregtare ku mund të vriteshin fëmijë të pafajshëm.
Ai sugjeroi të sulmonin kullën Trump ose Bursën e Nju Jorkut. Po sipas të njëjtave informacioneve, dy terroristët i referohen njëri-tjetrit me emrat Abdur Rahim dhe Ali Jibreel.
Ata komunikonin përmes një aplikacioni ku shpërndanin edhe video propagandistike në mbështetje të ISIS.
Në komunikimet e zbuluara nga FBI thuhet se dyshja planifikonte të kryente sulme terroriste në të gjithë SHBA, duke i bërë ata “të vlefshëm për Netflix”.