Arrestohet edukatorja Majlinda Dehima që dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin privat

0
38
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës është arrestuar edukatorja Majlinda Dehima, 48 vjeçe, e cila dhunoi një vajzë 3-vjeçare duke i thyer këmbën, në kopshtin “Stinët” në zonën e Ali Demit në Tiranë.

Ajo akuzohet për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, teksa arrestimi është bërë pas dorëzimit të akt-ekspertizës mjeko-ligjore.

Rasti i dhunës në kopshtin “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet u zbulua në emision “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie.

Pas denoncimit, kopshti rezultoi i palicensuar, i cili u mbyll më pas me vendim të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçares.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”. Hetimet po vijojnë për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat “Stinët”, por kjo mbetet në kuadër të dyshimeve pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.

Pas këtij rasti, , Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur kontrollet në në çerdhe, kopështe e shkolla private për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Njoftimi i Policisë:

Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopësht privat, ku punonte si edukatore.

Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopështe e shkolla private, Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopështe, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional.

Njoftimi i Prokurorisë:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.

Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.”– njofton prokuroria.

Zjarr Tv Ad