Nga Basir Çollaku
Mbyllja ushtarake e Kuvendit sot, komisione online, si në gjendje të jashtëzakonshme, nuk ishte për shkak përjashtimesh të seancës paraardhëse, ku Garda e Pushtetit harronte detyrat e shtetit dhe mbante nëpër duar shkresa pa fuqi ligjore, madje përplasej fizikisht me parlamentarët opozitarë.
Kanë afate të cilat ua kanë vënë ATA. Ortakët, mafiozët. Nuk kanë këllqe t’u dalin nga fjala as me orë, lëre pastaj me ditë apo qoftëlarg me javë. Absurdi solli fakte tej imagjinatës, nuk u lejuan të hyjnë nëpër zyra as deputetë pa këtë masë të pretenduar të Byrosë Socialiste.
Izolimi, rrethimi, mbrojtja fizike apo me armë, është kthimi njëpartiak i këtij institucioni, duke zyrtarizuar privatizimin individual nga Edi Rama, e duke na bërë të ditur se demokracia është në çdo dimension në zonë të minuar. I pandehuri i munguar mohoi me një sms dërguar Lindës, në mënyrë të përsëritur, pamundësinë e përfaqësimit të 600 mijë votuesve të djathtë, duke dëshmuar çmendurinë e rrezikshme ku kemi rrëshqitur. Vendi sot ka një qeveri, e cila drejtohet nga një kryeministër, emri i të cilit është përfshirë në një dosje amerikane për korruptimin e kryezbuluesit të FBI të Nju Yorkut, për interesa personale, biznesi, me kinezë e rusë të sanksionuar, për blerje ndikimi të nisjes së hetimeve ndaj kundërshtarëve. Një kryetar qeverie, emri i të cilit është në të tjera dosje të shumta të Prokurorisë së Posaçme, si inceneratorët, vjedhjes së zgjedhjeve, ndërtimeve të Ndranghetës, e mjaft të tjera të mbërritura nga vendet e BE.
Kriminelët, trafikantët, mafiozët, hyjnë në parlament, në administratë, në sistemin e drejtësisë, në Policinë e Shtetit dhe nuk i ndalon dot as Garda, as Policia, as Gjykata. Askush. Sepse ortakëria e tyre me të gjatin e partisë dhe skotën përreth, ka prodhuar mandatet për të mbajtur pushtetin. Nëse dy tre emra të botës së nëntokës do të kishin kaluar rastësisht te kryesia e Kuvendit, Edi Rama do të kishte hapur jo vetëm dyert, por mund të kishte dalë ti priste plot zell e përulësi drithëruese
Sepse:
Ata vendosin bashkërisht kur dënojnë edhe kur falin. Kur tenderojnë apo koncensionojnë. Kur shpërndajnë apo bllokojnë fondet e huaja. Kur ndajnë mendjen për taksa e biznese. Kur ndërtojnë kulla e resorte apo kur i shembin. Kur bëhen investitorë strategjikë, apo kur shpallen sipërmarrës armik. Kur duhet të shkosh ca javë në qeli, apo të amnistohesh me procedurë më pas del jashtë me pak dredhi. Kur dhe kush duhet të shpallet fitues e kush humbës. Kush duhet të bëhet prokuror, gjyqtar, ambasador, kush duhet të qëndrojë në sistem e kush duhet të largohet.
Edi Rama nuk është i fortë. Trimëria e tij është barsoletë e vjetër, e mbushur me panik lepujsh. Sjellja e tij në përdorje të dhunshme të institucioneve të drejtësisë e pushtetit nuk dëshmon gjithë kontroll. Ai po shfaq frikë. Dobësi. Ndaj kujt? Është duke kërkuar të dalë nga pengmarrja, ortakëria. Thellësia e paudhësive njëherësh e përfitimeve është e jashtëzakonshme. Janë miliarda euro. Ka hyrë në vallen e krimit kombëtar e ndërkombëtarë dhe nuk mundet tu thotë jo për asgjë. Thjesht bindet. Ai nuk ka hyrë vetëm por ka përfshirë në këtë rreth edhe njerëz të afërm, ndaj frika është e pamatshme, konkurruese me dhunën, prej së cilës gjen strehë përkohësisht. Kërkon destabilizim për ta përdorur si alibi, e mundësi shpëtimi pa llogaridhënie.
ATA e kontrollojnë Edi Ramën dhe nëpërmjet tij, apo përfaqësuesve të tyre, poshtërimi ligjor shtrihet kudo. Vartësit janë thjesht kusur. Gjenden pa vështirësi episode provuese për këtë realitet. Diku një kafe, më tej një drekë, më thellë një darkë, jo rastësisht mesazhe, telefonata, takime brenda e jashtë vendit, ujdisje e pakushtëzuar financiare, ku kushtet i vendosin ATA…Pasuria e pakufishme jo që nuk mundet të blejë të shkuarën, por nuk i jep asnjë garanci për sot, nesër. Ai ecën çdo ditë mbi mina të vëna nga vetë, bashkëpunëtorët, qeveritarët, bashkiakët, banditët, diplomatët. Shpërthimi i pakontrolluar nuk është aq larg sa kërkon ai ta shtyjë.. ATA po e marrin me vete…