Begaj nuk merr vendim, hyjnë në fuqi në heshtje ligji për kanabisin dhe bllokimin e diplomave për studentët

0
85
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kanë hyrë në fuqi në heshtje ligjet “e preferuara” të kryeministrit Edi Rama të miratuara në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar, ku bëhet fjalë për legalizimin e kanabisit mjekësor si dhe bllokimin për 5 vjet të diplomave të studentëve të mjekësisë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nuk ka marrë një vendim për këto ligje, nëse do i dekretonte apo do i kthente për rishqyrtim në Kuvend. Duke qenë se Begaj nuk ka nënshkruar dekretimin, sipas Kushtetutës ligjet futen automatikisht në fuqi, pasi kalon një afat kohor prej 20 ditësh.

Afati 20-ditor për dekretimin e ligjeve, skadoi një ditë më parë (14 gusht). Këto dy ligje që kaluan në heshtje nga Begaj kanë qenë kryefjalë, të cilat janë kontestuar shumë edhe nga opozita, por edhe nga studentët të cilët kanë protestuar kundër ligjit për mbajtjen peng të diplomave.

Kuvendi miratoi më 21 Korrik me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. Ky projektligj i detyron studentët që pas përfundimit të studimeve të nënshkruar një kontratë për të punuar në Shqipëri dhe për të mos u larguar nga vendi

Po ashtu, në atë seancë Kuvendi miratoi me 69 vota pro, 3 abstenime dhe 23 kundër dhe projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”. Ky ligj ka patur shumë kundërshtime nga opozita po ashtu edhe nga institucionet e Bashkimit Europian. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj (vëllai i trafikantit të drogës Geron Xhafaj), Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Kujtojmë se kreu i shtetit Bajra Begaj,ka zhvilluar edhe një takim me një përfaqësi të studentëve të mjekësisë, të cilët i kërkuan mosdekretimin e ligjit për diplomat, por duket se nuk e ka marrë fare parasysh kërkesën e tyre. Studentët kanë parlajmëruar se ligjin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Vlen të përmendet fakti se deri më tani, Bajram Begaj ka kthyer për shqyrtim vetëm një ligj, atë të dekoratave. Ky vendim i Begajt erdhi pasi ‘qeveria i mori’ Presidencës kompetencën për të dekoruar.

Zjarr Tv Ad