Protestuesit në Beograd që po kundërshtojnë siç thuhet, sundimin autokratik të presidentit, Aleksandër Vuçiç, hynë në ndërtesën e Radiotelevizionit shtetëror të Serbisë të shtunën mbrëma, raportimet e të cilit ata i cilësojnë thellësisht të njëanshme. Policia u fut në ndërtesë duke provuar të largojë grupet e protestuesve përfshirë edhe disa udhëheqës opozitar. Disa nga drejtuesit e protestave thanë se nuk do të largohen derisa nuk u jepet hapësirë në lajmet qendrore të së shtunës. Ky ishte incidenti më i rëndë pas disa muajsh protesta kundër presidentit serb, Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen tij, zgjedhje dhe medie të lira dhe më shumë demokraci. Kritikët e akuzojnë presidentin Vuçiç për vendosje të autokracisë nëpërmjet kontrollimit të rreptë të medies dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.
Protestuesit kërkuan liri të medies si parakusht për zgjedhje të lira e të drejta. Protestat me sloganin “Një nga pesë milionë”, filluan në nëntor të vitit të kaluar me moton “stop këmishëve të përgjakura”, kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Ai ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta. Në muajin dhjetor, presidenti serb tha se nuk do të përmbushë kërkesat e opozitës edhe nëse “dalin 5 milionë në rrugë”, por më pas ai tha se është i gatshëm të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Partitë opozitare thanë se do të bojkotonin zgjedhjet e tilla. Ish nacionalisti i skajshëm, Aleksandër Vuçiç, thotë se synon të anëtarësoj Serbinë në Bashkimin Evropian.