Berisha: Do e mbrojmë votën më fuqishëm se kurrë, Rama e ka betejën me PD-në e rithemeluar

0
50
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se Edi Rama e ka betejën e tij me PD-në e rithemeluar.

“Partia Demokratike e vërtetë e rithemeluar ka përcaktuar një procedurë të cilën nuk ka demokrat që normalisht ta refuzojë. Por, z. Ylli, kur tetë muaj apo një vit më parë, unë kaloja nga Foltorja në Foltorja për të folur për peng-Bashën në atë kohë, kishte që e besonin, por edhe të tjerë skeptikë.

Sot besoj, pas të gjitha të dhënave, është e qartë se të gjitha ato janë totalisht përpjekje të Edi Ramës dhe s’kanë asgjë të përbashkët me PD-në. Në këtë kontekst, unë kam qenë, jam dhe do të jem i hapur, që çdo deputet i kësaj partie, çdo eksponent dhe anëtar i kësaj partie, të kandidojë në primare, të propozojë cilindo për primare.

Unë s’jam kurrë i hapur të heq dorë nga primaret, as dhe të zëvendësoj primaret me sondazhe. Këtë s’e bën askush në botë. S’kam pse unë të vendos një standard të tillë pasi vetëkuptohet, Edi Rama betejën e ka me 11 Dhjetorin, me Partinë Demokratike të rithemeluar, sepse atë tjetrën, ç’është e vërteta, siç provuan kohërat, e kishte në xhep.

Edi Rama po mban peng flamurin e PD, flamurin e pluralizmit. PD është e vendosur të përballet me Edi Ramën. Ata që i lejojnë vetes të përdoren nga Edi Rama, i lejojnë vetes një suicid,” tha Berisha.

Sipas tij, demokratët do e mbrojnë votën më fuqishëm se kurrë.

“Vota do mbrohet, votën e mbrojnë burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët qëndrojnë me guxim, me integritet, në procesin e administrimit dhe të votimit. Vota gjithashtu është delikate, unë mund t’ju them se për zgjedhjet e shkuara, bëra një deklaratë se vota u ekzekutua para se të hynte në kuti dhe kjo mund të ndodhë.

Me këtë, nuk desha të hedh poshtë atë punë të shkëlqyer që bënë dhjetëra e qindra demokratë natën e numërimit të votave dhe në vazhdim, por theksova se Edi Rama e shndërroi shtetin në makineri elektorale, vendosi sistemin e patronazhistëve mbi votën, përdori sasi kolosale narko-eurosh për t’i blerë ato.

A heq dorë nga këto Edi Rama? Jo, por ne do e mbrojmë votën më fuqishëm se kurrë. Dhe unë sot, i them në emër tuaj Edi Ramës, i bindur të jesh se kurrë nuk do gëzosh fitore me votë fiktive,” tha Berisha.

Zjarr Tv Ad