Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër ambasadorët e SHBA dhe Britanisë në Tiranë, duke i akuzuar për korrupsion dhe dezinformim.
Berisha ka thënë gjatë një konference me gazetarët se ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën ai e ka quajtur “guvernatore”, ka shkuar “studio më studio” duke thënë se do të tregojë faktet e korrupsionit për të cilin e kanë shpallur non-grata, por një gjë të tillë s’e ka bërë as ajo dhe as “eprori” i saj Gabriel Escobar.
Lidhur me sanksionimin edhe nga Britania e Madhe, Berisha sulmoi ambasadorin britanik në Tiranë, Alastair King-Smith duke e akuzuar se ka dezinformuar qeverinë e tij, si dhe duke aluduar se për të dezinformuar ndaj tij është përfshirë në korrupsion.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Masa ndaj meje janë marrë me këtë praktikë, është përdorur korrupsioni për të luftuar atë që lufton dhe dënon më shumë korrupsionin në këtë vend. Nëse guvernatorja Kim kalonte nga një takim në një tjetër duke u thënë bashkëbiseduesve se fakte kemi por nuk i themi. Dhe eprori i saj Eskobar erdhi këtu dhe tha se fakte kemi por do i sjellim. Këta nuk kanë asnjë fakt, për t’u faktuar 100% ajo që kam thënë ditën e parë. Antony Blinken, se ky vendim bazohet në lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.
King Smith ka mashtruar, por Britania e Madhe është transparente, dhe autoritetet britanike nuk pranojnë të thonë fakte kemi por nuk i themi. Kanë kanal zyrtar për çështjen. Unë i kam gjetur dhe do ua bëj shqiptarëve të gjitha publike në momentin e duhur. Dhe shqiptarët do të shohin se çfarë dizinformimi të ulët ka bërë ambasadori King Smith qeverisë së tij. Shumë këtu, unë nuk luftoj për veten time, më së pari luftoj për shqiptarët.
Sepse ambasadorët janë ekselenca për definicion, janë njerëz që punojnë për ndërtim urash dhe bashkëpunimi. Atë çfarë ka mashtruar King Smith qeverinë e tij, ajo turpëron çdo qenie njerëzore. Unë vetë i di, por dua që dhe shqiptarët t’i dinë. Siç e shef ti, unë po bëj një betejë në të cilën mund të të them nuk ndihem jo-komod. Në fund të fundit m’u krijua motivi për të mbrojtur vendin tim. Një nga problemet më madhore të kësaj mafie, janë valixhet me euro që shpërndan për të blerë deklarata, për të deformuar realitetin.