Pothuajse një në pesë kompani të mëdha në Britani të Madhe i është shmangur pagesës së taksave për korporata, e cila zyrtarisht është në vlerën e 19 për qindëshit të fitimit të përgjithshëm. Një gazetë britanike i ka siguruar të dhënat për 69 nga 100 kompanitë më të mëdha, shumica e të cilave as që i kanë publikuar pagesat e taksave në raportet e tyre vjetore.
Në anën tjetër, 31 kompani kanë refuzuar të japin të dhëna për pagesën e taksave ndaj shtetit. Pas analizimit të të dhënave, u zbulua se 13 korporata nuk kanë paguar taksa. Në këtë listë përfshihen kompanitë “British Petroleum”, “Royal Mail” dhe “British Gas”. Disa firma i paguajnë më shumë shefat sesa ata që paguajnë taksa për shtetin. Për shembull, shefi i kompanisë “Royal Mail”, Rico Back, fiton 1.4 milion funte në vit.
Këto gjetje kanë ngritur shqetësimin se kompanitë e mëdha nuk po e paguajnë pjesën që ju takon për shkollat, spitalet dhe infrastrukturën e vendit. Asnjëra nga kompanitë nuk është akuzuar për veprime të paligjshme sepse ato po i shfrytëzojnë hapësirat ligjore që ta zvogëlojnë shumën e taksave.
Shumica e firmave që nuk kanë paguar taksa janë firma minierash. Disa prej tyre kanë deklaruar se ata nuk kanë pse të paguajnë taksa sepse veprojnë jashtë vendit dhe rrjedhimisht edhe fitimi i tyre krijohet nga puna e kryer në shtetet tjera, shkruan “Daily Mail”.