Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi Prokurorinë e Posaçme në lidhje me hetimet e kryera për inceneratorët. Përmes një konference për shtyp nga selia blu, Berisha deklaroi se SPAK është kthyer në një mburojë kryesore të kësaj vjedhjeje.
Ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen dhe t’i bëjnë gjyqin publik kësaj afere dhe kryeministrit Edi Rama.
“Kompanitë po përdoren si një instrument për hetime fake për të mbuluar vazhdimin e krimit monstruoz. “Skapi” i partisë de fakto është bërë mburojë kryesore e vazhdimit të vjedhjes së shqiptarëve nga Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj.
Në këtë kontekst akuzoj direct Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn si përgjegjës. Dhe për faktin tjetër se që të ndërrmeret një hap tjetër nga gjykata duhet një kontroll administrativ që mund të kryhet nga Ministria e Financave apo Mjedisit, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë, pasi Edi Rama nuk i lejon këto institucione të kontrollojnë biznesin e tij.
“Skapi” i Partisë ka të drejtë jo vetëm të konfiskojë pronën e krimit, jo vetëm të vendos përpara drejtësisë pronarët dhe përfituesit, por të vendosë dhe ata zyrtarë shtetëror që nuk pranojnë të kryejnë kontrollin administrative. Është koha t’i bëjmë gjyqin publik Edi Ramës, Ëngjëll Agaçit, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt, të cilët e dinë se janë të pashpresë përpara jush dhe kanë filluar t’ia hedhin fajin njëri tjetrit. Edi Rama deklaron se ëshët përgjegjësi e atyre që kanë marrë paratë për inceneratorin e Tiranës, duke ia hedh fajin Erion Velisë.
Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe këtë vjedhje monstruoze. I bëj thirrje qytetarëve të bashkohen për t’i bërë gjyqin publik kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.