Nga Enton Abilekaj
Lista Serbe shpalli tre ditë zie në veri të Kosovës. Flamujt serbë do të ulen në gjysmështizë brenda në Kosovë, në institucionet e Kosovës, për të nderuar ata që vranë reshterin e policisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë e parlajmëroi këtë që të dielën kur e quajti sulmin terrorist “rezistencë ndaj spastrimit etnik”. Gazetarët e pyesnin me shqetësim për “fatin e serbëve të rrethuar nga policia”.
Duket sikur janë akoma vitet ’90, me Serbinë e plagosur në sedrën shoviniste, me serbët e bindur se duhet të rimerrnin territoret e ish-Jugosllavisë, që të vazhdonin të njihnin Beogradin si kryeqytet. Duket sikur koha ka ngelur në vend në shtetin më të madh të krijesës së çuditshme konfiktuale, që iu dha emri Ballkan Perëndimor.
Deri përpara së dielës, shumëkush në Perëndim dhe pakkush në Ballkan mendonte se gjërat kanë ndryshuar, ose investonte për këtë. Shikonte tek Vuçiç, liderin e Serbisë moderne, që e ka zëvendësuar megallomaninë me prakticitetin, të shkuarën me të ardhmen, luftën e armatosur për pushtim me Ballkanin e Hapur për invasion ekonomik.
Deri përpara se e vërteta të shkruhej mbi trupin e Afrim Bunjakut, mendohej se Serbia dhe Vuçiç ishin gati ta kapërcenin gardhin për të kaluar nga oborri i Rusisë në atë të Perëndimit, me pak shtytje dhe hapësira ballkanike bëhej uniforme, euopianizimi do të përhapej në rajon si një rreze dielli që zhduk errësirën e luftërave.
Plumbat e së dielës në mëngjes sollën zgjimin e dhimbshëm që u dha fund ëndrrave. Asgjë nuk ka ndryshuar, Vuçiç veshi të njëjtin kostum të 1999, serbët morën të njëjtat armë dhe sulmuan të njëjtin territor për të treguar që kanë të njëjtin qëllim. Investimi i perëndimit rezultoi vetëm një joshje tregtare për një autokrat të predispozuar të shesë flamujt për të mbajtur pushtetin.
Ofertat e panumërta në dëm të Kosovës dhe të paqes, ishin biskotat që i jepeshin Vuçiçit për të adhuruar një tjetër zot, po ai nuk ishte lideri i vendosur për të ndryshuar mentalitetin e kombit serb, për ta udhëhequr drejt Perëndimit, për t’i dhënë fund ëndrrave shoviniste me luftëra pushtuese dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike.
E mbështetën mënyrën se si qeveris, se si pushteti i tij i bëhej çdo ditë e më shumë atij të Putinit, në strukturë dhe organizim, me shpresën se autokrati do kishte fuqinë ta zhvendoste boshtin e Serbisë. Në fakt ai nuk është lideri, është pushtetari i pangopur, që sakrifikon gjiçka për pushtet.
Mund të ishte lideri që rrezikon pushtetin për ta çuar vendin në drejtimin e duhur, mund të ishte autokrati i preferuar i perëndimit që, edhe pa mbështetjen e popullit të qeveriste me dorë të hekurt për të bërë ndryshimin historik të Serbisë, mund të ishte edhe lojtari që nuk e ul kurrë flamurin e nacionalizmit kur është në Beograd, por sapo del nga vendi e ndërron sipas vendndodhjes. Nuk mund të mos zgjidhte të tretën, sepse e shkuara e tij si tregtar idelaesh dhe flamujsh e sugjeronte këtë.
Investimi perëndimor pësoi një fiasko tragjike në Banjsko. Pastaj në Beograd, kur presidenti i Serbisë vrapoi të qante në prehërin e ambasadorit rus. Ajo që u pagëzua si realdiplomacia, kur u bazua tek joshja e Serbisë, doli llogari e bërë gabim nga një biznesmen në krye të një shteti të madh. I bëri të gjithë të mbyllnin sytë kur Serbia destabilizonte Bosnje – Hercegovinën, kur Kisha Serbe destabilizonte Malin e Zi në emër të “Botës Serbe”, kur po kjo Kishë i vinte kushte Maqedonisë së Veriut dhe sigurisht, kur Kosova destabilizohej me një fërshëllimë. I bëri të gjithë të mbyllnin veshët kur Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi kërkonin që agresori të lidhej me angazhime serioze, si e vetmja mënyrë për të garantuar paqen.
Nëse vrasja e Afrim Bunjakut nuk do të jetë fundi i kësaj politike, agresorët mund të bëhen më hakmarrës dhe pasojat mund të jenë akoma më të rënda.