Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi se opozita do të vijojë përshkallëzimin e aksionit të saj, pasi u janë shkelur të drejtat themelore, si bllokimi i krijimit të komisioneve hetimore parlamentare.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Salianji tha se opozita nuk do të lejojë më votime formale ku fiton Edi Rama.
Biseda në studio:
Neritan Sejamini: Çfarë strategjie keni ju për zgjedhjet? Kam frikë se po harxhoni kohë me këto që janë politika të përditshme, duke harruar qëllimin. Në të shkuarën me aksione të tilla, futeni në aksione të zjarrta dhe pastaj jeni të papërgatitur për zgjedhjet sepse zgjedhjet janë gjë tjetër.
Ervin Salianji: Nëse nuk marrim këto të drejta që garanton Kushtetuta, çfarë do të diskutohet për zgjedhje? Ne nuk e dimë a do të lejohen zgjedhje. Nuk më takon mua ndoshta ta them, por nuk do të ketë më votime që konfirmojnë Edi Ramën.
Ylli Rakipi: Opozita a ka në plan ndonjë aksion tjetër përveç kësaj? Ju futeni nga dritaret e Parlamentit tani, Edi Rama nesër vendos shufra hekuri, ç’do të bëni?
Ervin Salianji: Do të vijojë duke u përshkallëzuar aksioni.