Donald Trump përballë DeSantis, del në pah një rivalitet i ashpër për Shtëpinë e Bardhë

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Duke veçuar guvernatorin e Floridës, si armikun e tij më të madh brenda Partisë Republikane, ish-presidenti Donald Trump është përpjekur t’i tregojë vendin zotit DeSantis, shpesh duke përmendur rolin që luajti mbështetja e tij, për ligjvënësin relativisht të panjohur të Floridës, për t’u zgjedhur si guvernator i një prej shteteve më të mëdha të Amerikës.

Nga ana e tij, zoti DeSantis ndonëse prej kohësh ka vlerësuar dhe ndjekur stilin e republikanit Donald Trump, ka refuzuar të lërë mënjanë ambicjet e tij për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ish-presidenti përgatitet të shpallë kandidaturën për postin që humbi dy vjet më parë. Një shenjë e qartë tensioni mes tyre ishte edhe mbajtja e dy tubimeve të veçanta në Florida gjatë ditëve të fundit para zgjedhjeve për në Kongres.

Gjatë tubimit të tij, zoti Trump përdori një pseudonim tallës për guvernatorin DeSantis, duke e quajtur atë ‘Ron DeSanctimonious’.

Rivaliteti mes dy figurave më të njohura të Partisë Republikane po shkon drejt një faze të re, më shpërthyese, pas rezultateve të dobëta të atyre që priteshin të ishin zgjedhje të suksesshme për republikanët.

Guvernatori DeSantis, i cili arriti një fitore të thellë në zgjedhje, po shihet gjithnjë e më shumë si udhëheqësi i ardhshëm i republikanëve. Nga ana tjetër zoti Trump, kandidatët e preferuar të të cilit humbën në Pensilvani dhe Arizona, po fajësohet gjerësisht për humbjet e republikanëve.

Kjo situatë po e vë zotin Trump në pozitën më të dobët, që nga trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.

Ndërsa ai vazhdon me planet për të shpallur kandidaturën e tretë presidenciale të martën, zoti Trump po i kthehet një taktike që i ka shërbyer atij gjatë dekadave të trazirave personale, financiare dhe politike: duke u përqendruar tek dobësitë e kundërshtarëve të tij dhe duke i goditur ata me sulme të përsëritura.

“Kjo është mënyra se si lufton Presidenti Trump”, thotë Michael Caputo, një këshilltar i hershëm, që ka punuar në fushatën e parë të zotit Trump.

Në ditët që pasuan zgjedhjet për Kongres, zoti Trump ka bërë komente raciste ndaj guvernatorit të Virxhinias, Glenn Youngkin, një tjetër kandidat i mundshëm republikan për president, duke thënë se emri i tij tingëllon si kinez.

Ai ka kritikuar mbulimin nga rrjeti televiziv “Fox News”, i cili si pjesa më e madhe e perandorisë mediatike të zotit Rupert Murdoch, ka ndryshuar kohët e fundit tonin ndaj zotit Trump.

Por pjesa më e madhe e sarkazmës së zotit Trump i drejtohet guvernatorit DeSantis, një shenjë kërcënimi që paraqet guvernatori DeSantis ndaj zotit Trump.

Përmes një deklarate të gjatë, zoti Trump e quajti republikanin DeSantis si një “guvernator mesatar republikan, që ka lidhje të shkëlqyera me publikun” ndërsa shprehu zemërim që guvernatori DeSantis nuk po heq dorë publikisht nga mundësia e kandidimit.

Kjo qasje të kujton strategjinë e zotit Trump në vitin 2016, kur ai nxori nga loja gati një duzinë rivalësh, me një qasje tejet të ashpër, në të cilën përfshinte sharje fyese, se si dukej për shembull bashkëshortja e rivalit të tij të atëhershëm, Ted Cruz, dhe akuzat se babai i tij mund të kishte luajtur rol në atentatin ndaj Presidentit John F. Kennedy.

Senatori Cruz më pas u bë një aleat kryesor i zotit Trump në Kongres.

Por ende nuk dihet se çfarë ndikimi do të kenë sot fyerjet ndaj zotit DeSantis. Mes shumë prej mbështetësve më besnikë të zotit Trump, guvernatori DeSantis shihet si pjestar i të njëjtit grup.

Mbështetësit e zotit Trump, të intervistuar gjatë tubimeve të ish-presidentit dhe takimeve të tjera të konservatorëve, shpesh janë shprehur se guvernatori DeSantis është pasardhësi natyral i zotit Trump.

Shumë kanë shprehur mosbesimin se të dy republikanët do të sfidonin politikisht njëri-tjetrin, sepse duken që kanë lidhje të ngushta.

Aleatët e zotit DeSantis presin që guvernatori të njoftojë publikisht kandidimin për president pas seanacës legjislative të Floridës, e cila përfundon në muajin maj. Deri atëherë, ata mendojnë se guvernatori do të përqendrohet në drejtimin e shtetit dhe do të shmangë angazhimin e drejtpërdrejtë me zotin Trump, ashtu sikurse ka vepruar edhe këto ditë./ Marrë nga VOA

Zjarr Tv Ad